Reflektim mbi Atdheun: Fenomenologjia e të dytit

0
35

Atdheu. Një ndjenjë? Ose një kategorizim i estetikës mes dy botërave – jashtë kohës dhe hapësirës? Pra, një vend? Një kulturë e (për)jetuar? Një konstrukt i kushtëzuar shoqëror? Ose Atdheu i nënshtruar revolucionit digjital – Atdheu është vendi ku telefoni im mobil lidhet automatikisht me Wi-Fi.

Një ese nga Lulgjin Spanca 

Mërgimtari i gjeneratës së dytë (në vijim të tekstit: dytësori apo “Sekondas”) është aktor i përsosur. Ai mund të provojë maskat, ti vejë dhe ti heq ato.

E urrej ndjenjën që mua më shkakton fjala Atdhe: më vjen të pështirë. Duket aq e huaj për mua. Më merr frymën dhe mund të vjelli. Pse?

Kam ndërmend të sjell më afër perspektivën e një dytësori (Sekondas). Dua të them paraprakisht se kjo ‘shëtitje mendimesh’ kërkon ndjeshmëri (empati). Do të përpiqem të shpjegoj atë se çka tjetër i mbetet një fëmije të migrantëve. Sepse t’huajsimi (çudia) fillon qysh në shtëpi. Përpjekja për të kaluar kufijtë pa i hequr ata, është një nga aventurat e t’huajsimit në mes të kulturave.

Identiteti përfaqëson mundësinë e kushtëzimit të cilësdo ekzistencë njerëzore. Kështu njeriu zbulon se të tjerët janë kusht i ekzistencës së tij. Dhe në ndërgjegjësimin për faktin se njeriu nuk do të ishte asgjë pa njerëzit tjerë të tij (bashkë-njerëzit) dhe se asnjë e vërtetë, madhështi apo bukuri nuk do të arrihej, pa nevojën e njohjes nga të tjerët. Kështu e kuptojmë ne detyrimisht se njeriu është një qenie humane (njerëzore).

Identiteti formohet në mënyra të ndryshme. Zhvillimi klasik psikosocial është shoqëror – Nëpërmjet teje jam unë dhe UNË jam nga TI. Kjo mbetet një lojë ndër-subjektive dhe reciproke. Por ka edhe ndikime të tjera të formimit të identitetit: arsimi, institucionet, agjencitë e socializimit dhe grupet e bashkëmoshatarëve. Dhe të tjerët: p.sh. Atdheu. Por a humbë njeriu një pjesë e tij duke e lënë vendlindjen e tij?

Sekondos nuk është vetëm si ekzistencë (sepse ai për dikën nuk është kusht suksesi, pasi ai nuk ka aftësi ruajtëse) interesant, por edhe si subjekt dhe pamje.

Ai është një hibrid, një dytësor, një i lëçitur. Askush nuk dëshiron ta ketë atë, e lëre më të pranojë atë. E vetmja gjë që i është dhënë është dinjiteti dhe fasada e formalitet, asgjë tjetër. Kjo do duhej të mjaftonte – Neni i parë i të drejtave të njeriut duhet të jetë i mjaftueshëm për të. Dhe pastaj bëhet fjalë për një universalizëm kulturor dhe interkulturalitet? Dëngla! Ai është një rriqre! Ai i takon parazitëve të shoqërisë. I përbuzur për shkak se ai është tjetërsuar, nuk ka identitet dhe “e bën veten objekt”. I dashur për shkak se jeton midis dy kulturave. Ai i jeton dy arritjet e qytetërimeve njerëzore. Kjo ka sjellë kastrimin e tij – një akt balancimi mes dy botëve. Çfarë do të thotë kjo? Humbja e identitetit. Çfarë shpreson ai? Të jetë një hiperbolë: tërheqje në subjektivitet dhe krijim i objektivitetit.

Ai lëviz në një sferë në të cilën ai ka lindur. Ai duhet të pranojë përjashtimet, sepse ai nuk mund të përfshijë asgjë. Ai luan për dy arsye. Kjo është liria e tij: midis sfondit të migrimit dhe planit të parë. Liria e tij është metafizike: shpjegon kushtet kornizë të qenies së tij, ku kjo “kornizë” nuk i jep atij asnjë strukturë. Mbetet në një dekonstruksion – si dy gypat e ujit me presion në një akuarium, të cilat i japin vrull ujit për tu ngritur në sipërfaqe, por vet rezultati është forca zbritëse.

Në zhvillimin – nëse mund ta quajmë fare zhvillim – të çdo Sekondas nuk ka asnjë moment strukturor ontologjik, i cili përforcon identitetin e tij. Kështu zhduket sfera, në të cilën ende shpreson të jetë në gjendje të lëvizë, të cilën e përshkrova më parë si liri. Ai fillon të vuajë një humbje të identitetit. Ngadalë dhe me dhimbje, atij i shpërfaqet realiteti brutal. Zhgënjyeshëm shkrihet maska, që ai kishte deri tani dhe nuk ishte në dijeni të veprimit së saj. Më vonë ai do të kuptojë se pikërisht kjo humbje është një mundësi për të. Është një potencial për të krijuar diçka të re, jo mungesë të diçkaje.

Pasoja e fundit morale do të ishte që Sekondas të jetë në një gjendje të tensionit të vazhdueshëm njohës, sepse ai madje nuk e di se kush është ai – përmes negacioneve ka qenë gjithmonë më e thjeshtë. Thjeshtë? Po, më e lehtë! Të jesh në gjendje të thuash se kush nuk je, ajo që nuk dëshiron është më e lehtë sesa kush je dhe çfarë dëshiron.

Secondas është aktori i përsosur. Ai mund të provojë, të vejë dhe të heq maska. Ai zotëron një kozmos që është i arritshëm vetëm për atë dhe për askënd tjetër. Këtu përfundon ndjeshmëria? A është kjo eksperienca e limitit për të cilën bisedojnë të gjithë? A nuk do të ishim të gjithë më mirë nëse nuk do të përpiqemi të kuptojmë, por nëse pranojmë faktin se askush nuk do ta kuptonte kurrë një tjetër, asnjë grua burrin i saj, asnjë dashnor të dashurën e tij dhe asnjë baba e asnjë nënë fëmijën e tyre? Ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit shpikën Zotin (Perëndinë), një qenie, e cila do të ishte e aftë për të kuptuar?

Jeta e tij është lojë një aktesh; një dramë konstante e sheshtë si një Step uzbeke. Një anti-strukturë në shkallën më të lartë të përsosmërisë!

Apo ishte kjo vetëm një inskenim? Inskenim i hidhur, që Secondas nuk ka Atdhe dhe që është viktimë e kurtheve identifikuese?

Përktheu nga gjermanishtja Osman Osmani

 

Trajtimin e Gjini Spancës në origjinal mund ta lexoni në vegën e bashkangjitur: https://www.philosophie.ch/philosophie/highlights/nachdenken-ueber-heimat/die-phaenomenologie-des-zweiten-ein-essay

 

——————————————————

 

Më shumë për autorin

Lulgjin Spanca, ose Gjini, siç e quajnë, është lindur si djalë i prindërve shqiptarë të Kosovës në vitin 1995 në Luzern të Zvicrës, ku edhe është rritur. Tani ai nga 2017  jeton dhe studion në Fribourg për filozofi dhe po në këtë vit është pranuar në fondacionin studimor zviceran.

2016 ka marre çmimin për punimin e tij të shkëlqyeshëm të maturës Çka është drejtësia sipas Hobbes dhe Rousseau?

—–

Shkrimet e radhës “Reflektimi mbi Atdheun” u mundësuan nga Akademia Zvicerane e Shkencave Humane dhe Sociale

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here