Letër publike drejtuesve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetvendosje

0
4021

Të dashur aktivistë, deputetë dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje,

duke qenë thellësisht të shqetësuar me zhvillimet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, për disa javë tashmë, ne, një grup përkrahësish, simpatizantësh dhe aktivistësh të Lëvizjes Vetëvendosje, i bëjmë thirrje gjithë anëtarësisë së Lëvizjes, udhëheqësve të të gjitha niveleve e, veçanërisht, Këshillit të Përgjithshëm dhe kryesisë, që të marrin parasysh këtë letër tonën.

Synimi ynë nuk është që të japim gjykime individuale për veprimet e bëra nga akëcili veprimtar, zyrtar apo deputet i Lëvizjes, qoftë tani, qoftë në të kaluarën. Nuk jemi të shtytur nga çfarëdo veprimi individual e i veçantë, por vetëm nga shqetësimi me dinamikën e brendshme organizative dhe me zhvillimet e jashtme politike të Lëvizjes në përgjithësi.

Si dashamirë dhe mbështetës të Lëvizjes çdo ditë jemi duke parë se si shfaqjet publike të mospajtimeve dhe të mosmarrëveshjeve brenda Lëvizjes në vazhdimësi po e cenojnë dhe po e dëmtojnë besueshmërinë publike dhe politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Konstatojmë se Lëvizja i ka hyrë një dinamike të brendshme negative, e cila, ndonëse nuk e cenon ekzistencën e Lëvizjes si të tillë, në vazhdimësi po shkakton dëme në besueshmërinë dhe integritetin e saj si forcë politike, sidomos në një periudhë kur Kosova po ballafaqohet me sfida të rënda, si në aspektin politik ndërkombëtar, ashtu dhe në atë të brendshëm institucional, social e ekonomik.

Bëjmë thirrje që brenda Lëvizjes sa më parë të bëhet një kthjellje dhe riorganizim i domosdoshëm, gjithnjë duke respektuar statutin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më konkretisht, thirrja jonë drejtuar gjithë kryesisë, deputetëve, anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje është:

1) Të ndalen menjëherë të gjitha sulmet, akuzat dhe insinuatat e ulëta personale dhe të pabaza, të drejtuara në adresë të cilitdo aktivist, deputet ose zyrtar të Lëvizjes, përmes çfarëdo mediumi, si hap i parë për tejkalimin e frymës negative të krijuar brenda Lëvizjes dhe rindërtimin e besimit minimal të ndërsjellë.

2) Të gjitha çështjet e hapura të diskutohen haptazi dhe pa asnjë pengim brenda organeve vendimmarrëse të Lëvizjes, si në kryesi, ashtu dhe në Këshillin e Përgjithshëm. Përkujtojmë se asnjë aktivist, deputet e zyrtar i Lëvizjes nuk mund ta anashkalojë rolin qendror vendimmarrës të Këshillit të Përgjithshëm sa kohë që mbetet anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesia dhe Këshilli, në qoftë nevoja, le të formojnë një komision të pavarur, i cili do të shqyrtonte në formë faktike dhe objektive të gjitha zhvillimet brenda Lëvizjes përgjatë dy viteve të fundit. Ky komision do të kishte mandat të dilte me propozime konkrete për reforma organizative brenda Lëvizjes. Në këtë mënyrë në të ardhmen do të mund të parandaloheshin e të shmangeshin mundësitë që mospajtimet e ndryshme të shfaqeshin në këtë mënyrë, duke i bërë dëm organizatës. Po ashtu, kjo do të krijonte një frymë mirëkuptimi të ndërsjellë midis aktivistëve dhe zyrtarëve.

3) Në prag të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes, të mos bëhen kushtëzime, shantazhe dhe forma tjera presioni kundër kandidimit të cilitdo aktivist për cilindo post, përderisa kjo kandidaturë të jetë në përputhje me Statutin e Lëvizjes. Bëjmë thirrje që në zgjedhjet e brendshme, në vend të energjisë që harxhohet për nxitje të përçarjeve, kjo energji të përdoret për thellimin e demokracisë së brendshme duke e shfrytëzuar konkurrencën e mirëfilltë e të ndershme të ideve e të programeve për të ardhmen e Lëvizjes. Kjo duhet të bëhet me respektim përfundimtar të rezultateve të shprehura nga vullneti demokratik i gjithë anëtarësisë, siç është praktika normale në çdo parti politike demokratike.

4) Në të gjitha veprimet dhe deklarimet e veta, aktivistët, deputetët dhe zyrtarët e Lëvizjes të kenë gjithmonë parasysh se, përmbi interesat e veta, përfaqësojnë një Lëvizje popullore e cila përmban në vete përgjegjësi morale dhe politike. Kjo Lëvizje ka krijuar entuziazëm popullor dhe ka mbjellë shpresë për ndryshime, të tillë çfarë nuk ka ofruar asnjë forcë tjetër politike në historinë e re të vendit. Prandaj, kjo Lëvizje nuk duhet të lejojë shpërdorimin e këtij besimi të dhënë nga elektorati dhe votuesit gjatë zgjedhjeve nacionale dhe lokale të 2017-s. Çdo veprim ndryshe çon vetëm në diskreditimin e mëtejmë të Lëvizjes dhe reduktim dramatik, ndoshta edhe të pakthyeshëm, të potencialeve të saj.

Jemi optimistë, por jo edhe verbërisht idealistë. Kujtojmë dhe kemi parasysh se mund të ekzistojnë kohë dhe çaste kur mospajtimet arrijnë në ato shkallë fundamentale sa që bashkekzistenca brenda një subjekti të vetëm politik bëhet e pamundur. Mbetemi me bindje se mospajtimet në Lëvizje përgjithësisht nuk janë të një karakteri të tillë. Konsiderojmë se ajo që po ndodh në Lëvizjen Vetëvendosje është pasojë, në radhë të parë, e mosmarrëveshjeve të mbledhura me kohë, e krijuar edhe si rezultat i rritjes së shpejtë e marramendëse të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pamundësive objektive për komunikim të mjaftueshëm brenda vetë organizatës, për shkak të zhvillimi të shpejtë të ngjarjeve, duke përfshirë preokupimin me zgjedhjet dhe me përndjekjet e vazhdueshme kundër aktivistëve të Lëvizjes. Megjithatë, konsiderojmë se, edhe ata që përfundimisht nuk shohin rrugë tjetër pos që të ndajnë rrugëtimin e tyre politik nga Lëvizja Vetëvendosje, këtë duhet ta bëjnë në mënyrë korrekte, politikisht të sinqertë dhe duke respektuar punën dhe veprimtarinë e tyre shumëvjeçare brenda Lëvizjes.

Lëvizja duhet ta menaxhojë me mençuri fuqinë vendimtare që e ka në skenën politike të vendit. Ajo duhet të orientojë këtë energji politike, për të cilin populli i Kosovëska pritur me dekada, drejt zgjidhjes së problemeve të thella të Kosovës si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

Mbetemi me besim të plotë se kjo nismë do të mirëkuptohet nga të gjithë si thirrje dashamirëse dhe e nxitur nga besimi ynë i thellë në projektet politike dhe në misionin e madh emancipues shoqëror, politik e kombëtar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Me respekt,

  1. Abedin Bajraktari
  2. Agim Morina
  3. Agon Hamza
  4. Alban Nevzati
  5. Albert Ukaj
  6. Alexandra Channer
  7. Arben Brovina
  8. Ardian Bytyqi
  9. Ardian Hasani
  10. Ares Shporta
  11. Argjira Ukaj
  12. Artan Ajazaj
  13. Artan Selmani
  14. Arton Basha
  15. Asdren Hoxha
  16. Avdilaziz Suli
  17. Azem Daka
  18. Bashkim Deliu
  19. Bashkim Dyla
  20. Bedri Krasniqi
  21. Behar Podrimja
  22. Bekim Ahmetaj
  23. Bekim Borovci
  24. Beqë Miftari
  25. Besa Luzha
  26. Besim Ferizaj
  27. Besim Jashari
  28. Besim Lokaj
  29. Besnik Pula
  30. Betim Gashi
  31. Bersant Deva
  32. Blerim Osmani
  33. Burhan Lata
  34. Celine Hasani
  35. Dardan Ibrani
  36. Denis Bytyqi
  37. Dhurata Avdyli
  38. Dije Shaqa
  39. Dorarta Lokaj
  40. Driton Jahmurataj
  41. Drivalda Delia
  42. Dukagjin Neziri
  43. Edis Kasëmi
  44. Eli Krasniqi
  45. Erblin Lekaj
  46. Fadil Miftari
  47. Fatmir Bajrami
  48. Feim Komoni
  49. Fëllanza Podrimja
  50. Festina Zogaj
  51. Fikrushe Podrimja
  52. Flamur Jashari
  53. Gazmend Binakaj
  54. Genc Gjoka
  55. Gent Carrabregu
  56. Hashim Ibrahimi
  57. Islam Alijaj
  58. Jetmir çekaj
  59. Jeton Begu
  60. Kaltrina Ademi
  61. Linda Gusia
  62. Lulzim Kadriu
  63. Mali Deda
  64. Marjan Deda
  65. Minire Azemi
  66. Nehat Berisha
  67. Nertila Duraku
  68. Njazi Pllana
  69. Osman Osmani
  70. Qëndrim Krasniqi
  71. Rexhep Potoku
  72. Sami Islami
  73. Serafina Bytyqi
  74. Shahin Sallahu
  75. Sheqir Berisha
  76. Shqiptar Oseku
  77. Teuta Skenderi
  78. Trimor Mici
  79. Urim Lekaj
  80. Vanesa Hoxha
  81. Vlora Pireva
  82. Xhafer Sejdiu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here