Kur shteti (nuk) është aty

0
910

I.

Këto ditë sikur nuk zë vend asnjë muhabet, pa folur pak për futbollin. Dhe jo për futbollin në përgjithësi, por për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe historinë e tyre të fundit. Paçka se është folur aq shumë. Sa rrallë ndonjëherë tjetër më parë.

Përtej kësaj, opinioni shqiptar e ka pritur në ethe një vendim të Federatës Botërore të Futbollit pas problematizimit të mënyrës së celebrimit të dy lojtarëve shqiptarë në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë. Ai i druhej Serbisë, e cila nuk ka lënë gjë shqiptare pa e demonizuar; ai i druhej drejtësisë ndërkombëtare, e cila priret t’i barazojë gjërat; ai i druhej faktit se flitet për shqiptarë, të cilët shpesh janë gjetur të vetmuar me barrën që u ngarkohet.

Opinioni shqiptar e ka pritur në ethe vendimin e Federatës Botërore të Futbollit, sepse e di që politika shqiptare nuk mund t’i mbrojnë ata. Sepse politikanët shqiptarë janë aq të preokupuar me hallet e tyre. Sepse ata duhet t’i mbrojnë vartësit e tyre, sepse këta duhet ta mbrojnë akrabanë e vet. Sepse politkanët shqiptarë fundja duhet ta mbrojnë veten e tyre. Duhet t’i mbrojnë shtëpitë e tyre. T’i mbrojnë kostumet e tyre… Për kuriozitet: Një kostum i markës Brioni, i preferuar nga një lider shqiptar kushton 15’000 euro. Një markë, e cila në sytë e opinionit i rrinte e madhe edhe ish kancelarit socialdemokrat gjerman Gerhard Schröder.

II.

Sa të braktisur janë qytetarët dhe sa larg janë politkanët e thotë një studim i fundit i Komisionit Evropian për cilësinë e jetesës, i raportuar kalimthi para një jave në mediet shqiptare: 62 për qind e shqiptarëve janë shprehur se nuk mund të blejnë veshje të reja. Kjo është më e larta në Evropë! Të dytët janë qytetarët e Maqedonisë me 20 për qind më pak. 66 për qind e grave shqiptare furnizohen në tregun e petkave të përdorura. Gratë, të cilat veshjen e kanë jetë. Zonjat shqiptare! Sepse është 73 për qind e pikërisht grupmoshës së 35 deri 49 vjeçarëve që e pohon këtë.

Të martën është prezantuar mu në Beograd mbase i njëjti studim i KE-së për vendet kandidate për në Bashkimin Evropian në mënyrë më të hollësishme: „Cilësia e jetës – publikimi i të dhënave për të nxitur politika më të mira”. Mediet e raportuan këtë ngjarje dhe lajmi u zhduk për një orë! Për hir të së vërtetës, këtu 67 për qind e shqiptarëve dalin optimistë për një të ardhme pozitive, ndërsa perceptimi i kënaqësisë familjare është i barabartë me atë në shtetet me performansën më të lavdëruar të përgjithshme.

Por, me 57 për qind shqiptarët janë të parët me vështirësi „për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës“. Sikurse që 52 për qind e tyre „rrallë kanë kohë në jetën e përditshme të bëjnë gjëra që realisht iu pëlqejnë“. Ata ndahen më së keqi me shkallën e lumturisë, me kënaqësinë me standardin e jetesës dhe me cilësinë e akomodimit. Maqedonia, Turqia, Serbia, Greqia qëndrojnë të gjitha më mirë. Kosova nuk është përfshirë në hulumtim.

III.

Megjitatë opinioni shqiptar lajthiti pak në rastin e Xhakës dhe të Shaqirit. Dhe, të kapitenit të Kombëtares së Zvicrës, Stephan Lichtsteiner, i cili u solidarizua me kolegët e tij. Shqiptarët për një moment e abstrahuan që kontesti megjithatë zhvillohej midis Serbisë dhe Zvicrës. Ata harruan që këta lojtarë, pavarësisht kauzës shqiptare për të cilën qortoheshin, janë shtetas zviceranë. Më tepër se kaq, protagonistë të afirmimit të Zvicrës në skenën e futbollit, që e përparuan atë edhe në këtë turne botëror të futbollit. Ata harruan se institucionet zvicerane janë aty për qytetarët e vet!

Pas dramës erdhi farsa. Sikur nuk ekzistonte kur bëhej nami, politika shqiptare ka hapur tani një xhirollogari për të larë gjobën që Federata Botërore e Futbollit i ka prerë Xhakës dhe Shaqirit. Se Zvicra nuk ka lekë për këtë dhe pasi i mbrojti në gjyq tani i braktisi njerëzit e saj? Se ata vetë janë të ngartë dhe nuk i qëndrojnë veprimit të tyre? Se shteti shqiptar druan ta marrë vetë këtë faturë përsipër…? Po Kosova? Mos gabovsha, aksioni flet vetëm për Xhakën dhe Shaqirin. Po përse jo edhe për Kapitenin zviceran, që u tregua po kaq shqiptar sa ç’janë zviceranë Xhaka dhe Shaqiri?

IV.

Pavarësisht se nuk dolën skenarët e pritur ogurzinj, vendimi i Federatës Botërore të Futbollit për Xhaka et al. la një shije të hidhur. Vendimi me gjithë eufemizmat dhe ekuivoket e ka zgjidhur sherrin vetëm për këtë kampionat. Më e keqja, ai në njëfarë mënyre e ka kriminalizuar simbolin e bashkimit të duarve në trajtën e një shkabe dykrenare. Një gjestikulim që tifozeria shqiptare nganjëherë ia ka dalë ta induktojë pothuajse universalisht si një simbol të fitores.

Ai gjest duhet të definohet nga mënyra e përdorimit dhe sfondi i tij, jo nga sensibiliteti i politikës serbe. Po të ishte në dorën e saj, ai simbol do të ishte ngufatur që në rrëzë. Shqiptarët nuk mund të bëhen peg i averzioneve serbe. Ta bësh shqiponjën nuk është si t’u tundësh hebrenjve kryqin e thyer nazist. As e kundërta nuk është madje, sepse tifozeria shqiptare e përdor atë gjithandej dhe gjithmonë kur feston një fitore…

Zvicra do të sillet në raport me këtë gjest varësisht sesi do të definohet ai dhe se si do ta rregullojë ajo raportin me qytetarët e saj „me dy zemra“ në kraharor. Kurse bota do ta definojë atë ashtu si do ta definojnë shqiptarët. Sikur qeveritë, akademitë apo federatat shqiptare të futbollit si palë e interesuar të kishin bërë një pledoaje kompetente për këtë gjyq, do t’i kishin bërë një shërbim të vyer definimit të këtij simboli. Sepse ky vendim megjithatë mund të merret si referencë për të ardhmen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here