Komunitetit

Bashkësia Shqiptare – Historia e prointerga.ch

Komuniteti Shqiptar Schaffhausen si një organizatë e strukturuar u themelua në vitin 1991. Përbërja e strukturës udhëheqëse të Bashkësisë Shqiptare Schaffhausen ishte e baraspeshuar si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht, kjo domethënë se përbërja merrte parasysh në njërën anë rajonit e prejardhjes së bashkatdhetarëve migrantë (Kosovë, viset shqiptare nën Maqedoni, Serbi e Mal të Zi) si dhe varësisht  nga vendbanimi e tyre edhe në rajonin e Schaffhausen-it me rrethinë (vet qyteti  Schaffhausen e vendbanimet tjera kantonale, pastaj vendbanimet në kantonet fqinje si Diesenhofen i Kantonit Thurgau apo edhe Marthalen i Kantonit Cyrih) .

Bashkësia Shqiptare Schaffhausen me rrethinë posedonte një rrjetëzim shumë të mirë në kontekstin lokal dhe rajonal. Kishte marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Qendrën dhe të kontaktit për huajt dhe zviceranët në Schaffhausen (tani e njohur si INTEGRES), dhe ishte e përfaqësuar edhe në Qendrën ndërlidhëse shumëkulturore të komuniteteve Schaffhausen.

Fushat e veprimtarisë ndryshonin varësisht nga situata dhe fushëveprimtaria e mërgimtarëve tanë. Fokusi i veprimtarisë është përqendruar në njërën anë në situatën e vendit pritës (nikoqir) dhe problemet që lidheshin me te, ndërsa në anën tjetër me preokupimet dhe zhvillimet në vendin amë, e që shprehej pjesërisht në mbështetjen morale, materiale si dhe solidaritetin, varësisht si e kërkonte situata në vendin e origjinës.

Drejtuesit e Bashkësisë Shqiptare Schaffhausen gjithmonë – edhe pse jo mjaftueshëm – ishte në gjendje të mbështetnin komunitetin shqipfolës me shërbime të rregullta të këshillimit dhe si pikë kontakti e avokimi. Veprimtaria dhe shërbimet kryheshin vullnetarisht dhe në kohën e lirë. Të gjitha aktivitetet janë vetmenaxhuar, ndërsa mjetet janë siguruar përmes vetfinancimit të menaxhmentit dhe nga kontributet e vetë aktivistëve të Bashkësisë Shqiptare Schaffhausen, pa ndonjë mbështetje të veçantë nga qyteti, kantoni apo qeveria federale, përjashtuar këtu mbështetjen e periudhës 2001 – 2003. Krahasuar me komunitetet tjera mërgimtare në Zvicër, komunitetit shqiptar i mungonin institucionet e përfaqësive shtetërore në nivelin politik, ekonomik dhe socio-kulturor, gjë që situatën e këtij komuniteti ndër më të mëdhenjtë të mërgimtarëve e bënte edhe më të vështirë.

Në mënyrë të veçantë, udhëheqja e Bashkësisë Shqiptare Schaffhausen për komunitet ka ofruar shërbime falas në fushat e mëposhtme:

  • Këshillim social për migrantët nga Ballkani Perëndimor
  • Projekte pune
  • Pjesëmarrja dhe ndikimi në Institucione të ndryshme (sociale, kulturore dhe politike)
  • Ligjërim, arsimi e trajnim për të rritur
  • Këshillime të specializuara
  • Ndërmjetësimi e mbështetje në problemet shkollore
  • Puna me të rinj dhe zhvillimi i aktiviteteve kulturore
  • Informimi dhe komunikimi në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar
  • Ndërmjetësimi me autoritetet dhe shkëmbimet kulturore me vendasit
  • Ndërmjetësim kulturor dhe mbështetje në fushën shëndetësore
  • Bashkëpunimi edhe me grupet e tjera etnike, veçanërisht me ato të pafavorizuara, si tamilët, kurdët, dhe edhe me të tjerët.