Në Koblenz të Gjermanisë u mbajt Festivali tradicional poetik 

0
496

Pos që u zbulua pllaka përkujtimore e Shoqatës se Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë u ndanë edhe çmimet e konkursit letrar.- Nënkryetari i kësaj shoqate, Musa Jupolli tha se: Literatura, arti në përgjithësi është fushë e pëlleshme me ide dhe vlerë që rikthen ideo-etikën e estetikën në të mirë të Atdheut, në të mirë të letrave shqipe.   

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Dje dhe sot në Koblenz (25 e 26 Nëntor 2017) të Gjermanisë u mbajt Festivali tradicional poetik i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në të cilin morën pjesë më se 70 krijues nga shtetet e ndryshme evropiane, përfshi edhe trojet tona etnike, ne mesin e tyre edhe emra të njohur të letrave tona që kanë begatuar letërsinë tonë me vlera edhe pse librat dhe ata vet nuk trajtohen si e sa duhet në vendet e prejardhjes.

Përndryshe, në manifestimin e mbajtur në Koblenz, që u mbajt në hotelin Continental, të afaristit shqiptar Sami Hyseni u zbulua edhe një pllakë përkujtimore në shenjë të themelimit të kësaj shoqate në këtë objekt vite më parë. Pos krijuesve të pranishëm kishte edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës: konsulli i Kosovës në Munih, Hamdi Reqica dhe Shani Hamitaga, përfaqësues i Ministrisë së Diasporës. Anëtarë nderi të kësaj shoqate u shpallën afaristët shqiptarë e miq të krijuesve të mërgatës: Xhelil Musa nga Hamburgu, Sami Hyseni, Koblenzi dhe Bekim Gashi nga Frankfurti, që financiarisht ndihmojnë shoqatën, madje duke ia lënë në dispozicion edhe restorantet e hotelet e tyre në tubimet vjetore, kur edhe marrin pjesë dhjeta e dhjeta krijues.

Tubimin punues të këtij Festivali tradicional poetik, që tash ka fituar fizionominë e tij edhe me sasi e edhe me cilësi e bëri kryetari i shoqatës Hasan Qyqalla, ndërsa qe u shpallën edhe rezultatet e konkursit letrar gjithëkombëtar për poezi.  Juria në përbërje  prof. Zejnepe Alili Rexhepi, Fran Tanushi dhe Haxhi Muhaxheri, pasi kishte lexuar të gjitha poezitë e arritura në konkurs shpalli rezultate, me që rast me Çmimin Pena e Art “Martin Camaj” e shpërblye poeti, Bujar Salihu, kurse me Çmimin e Festivalit, Miradie Maliqit;  me “Çmimin e Kongresit të Manastirit”- Bardha Mançe, me “Çmimin e Nëntorit” Arif Mulliqi  dhe me “Çmimi vjetor – Anton Marku.  Sponsor i çmimeve kësaj radhe ishte Fondacioni “Besa” Munih.

Me një fjalë rasti lidhur me aktivitetin e deritashëm dhe detyrat e ardhshme të kësaj shoqate si dhe për situatën aktuale në Kosovë të pranishmëve iu drejtua nënkryetari i kësaj shoqate, poeti nga Parisi, Musa Jupolli. Përmes një vështrim analitik përmendi se : “Snobizmi, mos kultura politike, mungesa e leximit me një fjalë llafosje që ngatërron rrugë, janë tema kritike që duhet të vihet në pah sot! Literatura, arti në përgjithësi është fushë e pëlleshme me ide dhe vlerë që ta rikthejmë ideo-etikën e estetikën në të mirë të Atdheut , në të mirë të letrave shqipe.

Sepse, sipas Jupollit: Ikja nga thelbësorja ne ndodhitë e Atdheut do të thotë brengë ku e ndritshmja shndërrohet në errësirë , e qëllimeve që të rrënohet kultura dhe njohja e kombit. Ideologjitë janë të shumëllojshme, ajo marksiste dhe fetarizmi ishin dhe mbetën plaga më e rëndë e kombit shqiptar, zaten ky ishte dhe mbetet synim i Serbisë dhe Turqisë me aleatët e tyre! “

Ambienti ku u mbajt festivali poetik ishte stolisur me pikturat e Valdete Berishës, ndërsa atmosfera u begatua nga tingujt e kitarës së artistit Driton Gashi dhe të një grupi muzikor, meqë rast tërë këtij evenimenti i dhanë edhe ngjyrat e festave të Nëntorit e të një mbrëmjeje të vërtetë vëllazërore, aq më parë që krahas poetëve e krijuesve të tjerë nga mërgata kishin ardhur edhe disa poete nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here