Lajmet e fundit
sqde
Home / Aktualitete / Katundi i vjetër Kukaj po rritet me petkun e një etnofesti

Katundi i vjetër Kukaj po rritet me petkun e një etnofesti

Edicioni i tetë i Etno Festit në Kukaj nga viti në vit po avancon si në përmbajtje, ashtu edhe cilësi e fizionomi, me pjesëmarrjen e grupeve etno-grafike nga të gjitha trojet etnike

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Mbrëmë bashkë me qindra artdashës pata rastin të përcjelli Edicionin e tetë të Etno Festit në fshatin Kukaj, manifestim ky që nga viti në vit po avancon si në përmbajtje, cilësi e fizionomi. Kështu ishte edhe natën e parë të kësaj ngjarje që sivjet është ndarë në dy- tri etapa kohore.
Karakteristike është se në fshatin, që ishte në shuarje sikur është kthyer jeta plotësisht, madje me një petk kulturor, veshje dhe formë kjo që po shihet e po shfaqet si në objektet e banimit ashtu edhe në paraqitjen e artistëve që janë pjesë të programeve artistike e që vijnë kryesisht nga vendbanime të vogla ku akoma gjallëron ajo pjesë e thesarit popullor që prej shekujsh kultivohet në këto mjedise. Ndonëse me shumë pak mbështetje morale e materiale nga ato institucione, që kanë për obligim të ndihmojnë evenimentet e kësaj natyre, që tërheqin gjithnjë e më shumë vizitore. Me një mirëseardhje të pranishmëve iu drejtua edhe themeluesi dhe organizatori i EtnoFestit, profesor Fadil Hysaj.

Përndryshe edhe mbrëmë në këtë oazë, modifikuar si një muze i pasur etnografik, pati ekspozita arti nga Profesor Luan Mulliqi, skulptorit Destan Gashi me emërtimin “Hasjanët” dhe “Festa Pagane” nga Blerta Surroi, por edhe program tjetër artistik.
Paraqitja e Ansamblit etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi i Hasit, u prit dhe e përcoll me duartrokitje të gjata pasi i tërë programi ndërlidhej me rite popullore nga tradita që krijonin kërshëri e nostalgji, madje si me veshje ashtu edhe me lojë të bukur e këngë të përzgjedhura, qofshin ato këngë dasme, baritore apo edhe lojna fëmijësh.

Programi, i kthyer në një festë të vërtetë vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes përcjell nga tingujt e Nezafete Shalës “Melodia e Vjetër”.
Që ditëne parë pos figurave të shumta të fushave të ndryshme të artit nga trojet shqiptare, pati edhe mjaft pjesëmarrës nga mërgata jonë, në mesin e tyre edhe figura të shquara të artit. Me një fjalë Kukj po bëhet gjithnjë e më tepër një fshat i dashur dhe i afërte për shumë bashkëkombës. Edhe ushqimet e shijshme nga kuzhina tradicionale ishin pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore të përshkuar edhe me ngjyrime turistike.

Ashtu siç u themelua ndër shekuj dhe fitoj nam si fshat turistik, fshati Dardhë në afërsi të Korçes, edhe Kukaj afër Prishtinës është në rrugë të mbarë të fitoj epitetin e një fshati jo vetëm etnik, por edhe etnografik. Është ky një fshat tërheqës, me arkitekturë të vjetër, që me pak më shumë investime e kujdes shoqëror e institucional do të mund të grish e tërheq jo vetëm turistët e vendit , por edhe ata të huaj.

( Përmes fotove që shkrepa uroj që të përjetoni sado pak atmosferën e këtij manifestimi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Poezi: Nuk i dua stinët

Jo, nuk i dua stinët. Padhembshurisht e fshikullojnë jetën Trajektores së kohës së njerëzimit Nuk ...