Lajmet e fundit
sqde
Home / Aktualitete / KARDIOLOGU FIERAK I ARIZONËS

KARDIOLOGU FIERAK I ARIZONËS

Po të ishte Shqipëria çfarë nuk është, truri i saj nuk do të shpërndahej gjithandej nëpër botë, ajka e mendjes nuk do të ikte e të kërkonte “shpëtim” larg, sa më larg Atdheut, i cili në çerek shekulli demokraci, nuk arriti të demokratizohet. E çfarë mund t’u ofrojë bijve e bijave të saj Shqipëria demokratike, kur demokracia në Shqipëri, kjo metamorfozë e komunizmit, Shqipërinë e ka shndërruar, po të flasim me gjuhën enveriste, në një kopsht të lulëzuar, porse jo në kopsht të lulëzuar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por në një kopsht ku lulëzon droga, korrupcioni, shantazhi, pasiguria, varfëria, “demokraci” të cilën do ta braktiste, po të mundte, i madh e i vogël. Kjo demokraci e detyroi dhe personazhin e këtij shkrimi t’ia kthente shpinën kopshtit-parajsë e të vinte për të filluar një jetë nga e para këtu, në SHBA, në “skëterrën kapitaliste”.

Nga Arizona: Hajro Hajra

Është ky kardiologu i njohur i Arizonës (SHBA), dr. Akil Loli, i certifikuar për kardiologji mjekësore të brendshme, për kardiologji kirurgjike, për kardiologji nukleare dhe për tomografi kompjuterike kardiake. Akili me familjen jeton në Paradise Valley, një qytet i vogël me 13-14 mijë banorë, e drejta një paralagje e Feniksit, kryeqytetit të Arizonës, e njohur me fushat luksoze të golfit, me shtëpitë e me hotelet e shtrenjta. Ai është nga Fieri, ndërkaq zonja e tij, Marina, është nga Shkodra. Akili ka lindur në Fier, ku ka jetuar deri në moshën 18-vjeçare, kohë kur (më 1988) ka vajtur në Tiranë për të filluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, degë që i ishte caktuar me direktiva partie, siç veprohej atëherë në Shqipërinë – Kështjellë të Komunizmit. Pas përfundimit të studimeve, më 1993, menjëherë ka filluar punën në Spitalin Ushtarak, për të vazhduar në vitin e dytë në Repartin e Kardiologjisë, ku kishte bërë trajnimin për kardiologji.

Më 1995 është martuar me Marina Progrin nga Shkodra, me të cilën ishte njohur në universitet (edhe ajo ka mbaruar studimet në mjekësi, 1 vit pas Akilit), ndërkaq, familja e saj është me prejardhje nga Kosova. Më 1992, ajo kishte pasur fatin ta takonte Nënën Terezë, gjatë vizitës së saj të tretë në Shqipëri, një fakt që ajo e thotë me krenari.

Pas 1 viti, në shtator të vitit 1995, pasi sigurojnë vizat, marrin udhën për në Amerikë. Fillimisht vendosen te xhaxhai i Akilit, Gjorgji, në qytetin Coral Springs, të shtetit Florida. Në shtëpinë e xhaxhait jetojnë për më pak se 1 vit, derisa vjen në jetë fëmija i parë dhe pastaj shkojnë për të jetuar në një shtëpi më vete.

Po, pse kishin zgjedhur pikërisht Amerikën dhe jo, ta zëmë një vend të Europës, më afër Shqipërisë? Ja si e shpjegon Akil Loli psenë e vendimit për të ardhur në SHBA: – Në asnjë vend, as në Europë, njeriu nuk trajtohet aq mirë, siç trajtohet këtu, në Amerikë.

Pa u bërë 1 vit nga ardhja në Amerikë, në maj 1996, çiftit Loli u kishte lindur fëmija i parë, gëzimi i parë, vajza Helen.

Fillimi, eh, si çdo fillim, i vështirë, me peripeci të shumta, por Akili e Marina, megjithatë i kishin përballuar, ndonëse jo me aq lehtësi.

Ja si i kujton zonja Marina ditët e para në Amerikë: – Ishte vështirë, shumë vështirë. Ishim pa lekë, punë nuk gjenim. Unë aplikoja për të punuar çfarëdo pune, por kur e shkruaja në aplikacion profesionin mjeke…, kush të merrte në punë. Veç kësaj, as anglishten nuk e dija mirë. As Akili s’po gjente punë… Kishim marrë vendim të ktheheshim dhe do të ktheheshim, po të kishim lekë për bileta. E kaluam si e kaluam këtë fillim tepër të rëndë, por shumë shpejt gjërat filluan të ndryshonin për të mirë, sapo Akili gjeti punë.

Për të arritur këtu ku është sot, Akili kishte qenë i detyruar të punonte shumë. Vitin e parë, kur u kishte lindur vajza, kishte bërë tri punë të ndryshme, kishte punuar deri në 18 orë në ditë, me një pagë 4.25 dollarë në orë (aq sa ishte paga minimale në Floridë më 1995) dhe pastaj kishte arritur të shkollohej pa asnjë lloj ndihme, pa asnjë lloj burse, i mbështetur tërësisht në forca të veta. Gjatë 3 vjetëve të qëndrimit në Floridë, ai arriti t’i kalonte hap pas hapi të gjitha provimet e domosdoshme për t’iu njohur shkollimi që kishte bërë në Shqipëri, domethënë diploma për mjekësi.

Më 1996 filloi të punonte ndihmës i një kardiologu. Ishte një punë që e bëri për 2 vjet radhazi. Më pastaj, me një pagë 10 dollarë në orë kishte punuar pak kohë në një laborator, ku bëheshin analiza gjaku, ndërkohë që çdo fundjavë punonte kamerier ose edhe një punë të tretë dhe, njëherësh, shfrytëzonte çdo minutë të asaj pak kohe të lirë që i mbetej, për të studiuar.

Pasi kishin qëndruar 4 vjet në Floridë, më 1999 kishin ardhur në Arizonë, sepse këtu, në Feniks Akili ishte pranuar për t’u trajnuar, trajnim që e bën nga viti 1999 deri më 2002. Ndërkohë, këtu, në Arizonë, çiftit Loli u lind (më 2001) fëmija i dytë, djali Nick.

Akili do të vazhdonte trajnimin për kardiologji në Good Samatarian Hospital edhe për 4 vjet, për të filluar më pas punën në Biltmore Cardiology. Punën në Biltmore e ka vend të parë të punës ku, po ashtu është edhe partner, puna e tij e dytë është drejtor programi në Cardiology Fellowship, ku trajnon studentët e rinj, ndërkaq, gjysmën e kohës e kalon në spital, aty ku njerëzit kanë nevojë.

Trajnimi i tij është për kardiologji ndërhyrëse (interventional cardiology) dhe për kardiologji të përgjithshme (general cardiology). Ai është gjysmë kardiolog i përgjithshëm, gjysmë intervencional (operacione që bëhen pa prerje). Gjatë karrierës së deritashme, që nga viti 2005, ka bërë afro 900 ndërhyrje kirurgjike.

Megjithatë, për të arritja më e madhe janë fëmijët. Ky është sukses mbi suksese.

Kur e pyesim për suksesin në punë, zoti Loli thotë: – Ku jam rritur dhe ku kam përfunduar…, çdo mëngjes kur zgjohem, falënderoj Zotin që jam ku jam…

Për të ardhmen e kardiologjisë, dr. Akil Loli thotë: – Zhvillimi i fushës sonë ku jemi, i kardiologjisë, nesër do të mundësojë rindërtimin e enëve të gjakut, të muskujve të zemrës, rindërtimin e strukturave, kjo është e ardhmja. Ka mundësi që me aparate shumë më të vogla të ketë më shumë mundësi për të ndërtuar organe dhe për të ndërtuar inde. Njohuria që ke sot, pesë vjet prapa është krejtësisht ndryshe, mënyra se si shoqëria zhvillohet dhe ndryshon…, duhet të jesh gjithmonë i aftë që të përshtatesh dhe të mendosh se gjithmonë gjërat duhet të ndryshojnë. Gjërat nuk ndryshojnë gjithnjë për mirë, nganjëherë ndryshojnë për keq, por në përgjithësi, në perëndim, gjërat bëhen më mirë seç kanë qenë. E tillë është natyra e shoqërisë.

Klinika ku punon, Biltmore Cardiology, gjithnjë kujdeset për pacientë në nevojë, u bëjnë teste falas dhe shpeshherë u japin dhe barna falas. Një koleg i tij, po ashtu kardiolog i njohur,  dr. Tymothy J. Byrne bën punë falas në Haiti dhe në Amerikën e Jugut.  – Unë veproj paksa ndryshe – thotë Akili: nëse e di që dikush nuk ka para, çdo gjë e bëj falas. Mjekësia ka aspektin e biznesit, por edhe aspektin njerëzor dhe gjithmonë aspekti njerëzor është në vend të parë. Është mirë të kesh të ardhura, është mirë ta kesh profesionin edhe pa të ardhura… Ne i shohim njerëzit që janë pa para dhe i ndihmojmë. Ka mundësi t’i ndihmosh njerëzit, mjafton të kesh dëshirë për t’i ndihmuar.

Po sikur t’ju kërkohej ta ndihmonit një shqiptar nga Shqipëria, nga Kosova…, a do t’i dilnit në ndihmë. – Po, patjetër. S’është e thënë të jetë nga Kosova a nga Shqipëria, nga të jetë, nëse nuk ka mundësi të paguajë, brenda mundësive tona të gjitha i bëjmë. Në këtë profesion, po nuk bëre mirë, vetëm të këqija prit…

Fëmijët e çiftit Loli, vajza e djali, janë gëzimi e lumturia e tyre. Ata rriten e piqen, mendojnë me kokën e tyre, kanë ëndrrat dhe jetën e tyre dhe nuk rriten nën hijen e prindërve, sidomos të babait. Vajza është në vitin e katërt të studimeve për kimi në Universitetin e San Diegos, Kaliforni, kurse djali vijon mësimet në një shkollë të mesme në vitin e tretë. Ka qenë vendimi i vetë vajzës që ta studiojë kiminë, po edhe djali vetë do të marrë vendim për të ardhmen e tij.

Marina u është kushtuar fëmijëve, familjes…  – Sa i përket karrierës sime – thotë zonja Marina, besoj që karriera ime më e suksesshme është ajo që kam si nënë. Nganjëherë edhe them: sikur ta kisha vazhduar mjekësinë, por në momentin që shoh fëmijët e mi, e di që kam marrë vendimin më të mirë për familjen time.

Teksa krahason brezin e vet me brezin e fëmijëve të tyre, dr. Loli thotë: – Brezi im dhe breza të mëhershëm, gjithë ditën e kemi kaluar jashtë, kurse brezi i sotëm, gjithë kohën e kalon brenda, me kompjuter, me telefon… Njeriu ka nevojë të flasë, të komunikojë me njerëz drejtpërdrejt…

Në bibliotekën e tij të pasur me libra, kryesisht shkencorë, të profesionit të tij, zënë vend edhe mjaft libra shqip, po edhe flamuj shqiptarë dhe suvenire shqiptare që, në njëfarë mënyre ia shuajnë mallin për Shqipërinë, ku nuk ka qenë që prej 8 vjetësh, shkaku i obligimeve të shumta.​

Duke përmbyllur këtë shkrim për kardiologun fierak të Arizonës, nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se dr. Loli gjendet në kreun e listave të kardiologëve më të mirë të Feniksit e të Arizonës. Kjo, falë aftësisë profesionale, falë dashurisë së madhe për këtë profesion human, falë punës plot përkushtim, falë afërsisë me pacientë e falë fjalëve plot ëmbëlsi me të cilat u drejtohet atyre.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Poezi: Nuk i dua stinët

Jo, nuk i dua stinët. Padhembshurisht e fshikullojnë jetën Trajektores së kohës së njerëzimit Nuk ...