Politikanët e Kosovës nuk kanë të drejtë të bëjnë beteja që nuk kanë për bazë interesat e qytetarëve të saj

(Kumtesë e Lidhjes Shqiptare në Botë )

Kosova po kalon momente dramatike, sa nga pandemia e përhapjes së virusit Covid 19, e shkaktuar në shkallë globale, po aq edhe nga përçarja e skenës politike e institucionale. Paradoksalisht, mu tani kur kjo sfidë globale kërkon bashkërendim dhe menaxhim efikas, faktorët politikë e institucional të Kosovës janë futur në një betejë të pakuptimtë, jo për ta sfiduar armikun e padukshëm, por për ta sfiduar vetveten.

Si sot, para 21 viteve, pikërisht më 24 mars 1999, kur përkujtojmë intervenimin e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe, Kosovës i erdhi nga qielli dhurata më e çmuar që bota demokratike po e dërgonte për ta shpëtuar një popull të tërë nga murtaja e gjenocidit.
Dhe në vend se të gjithë ne t’i gëzohemi fitores që solli ky intervenim, bashkë me lirinë e shtrenjtë për popullin tonë të shumëvuajtur, klasa politike e Prishtinës po tregohet e papërgjegjshme, duke demonstruar një protagonizëm të paparë dhe një lufte të pakuptimtë për dominimi politik e institucional.
Shqiptarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë gjendje kaotike që po e krijojnë politikanët, andaj më tepër se kurdo here më parë, kemi nevojë për të reflektuar në gjetjen e një gjuhe të mirëkuptimit dhe komunikimit. Kemi nevojë për urtësinë e intelektualëve dhe familjeve me autoritet të palëkundur që të ndikojnë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve aktuale politike, duke iu dhënë hapësirë institucioneve adekuate në luftimin e virusit Covid 19, dhe në mbjelljen e shpresës tek qytetarët se kjo Kosovë e jona do të jetë e mire apo e keqe varësisht se si sillemi ne ndaj saj.
Lidhja Shqiptare në Botë thërret të  gjitha familjet e mëdha patriotike të Kosovës që lirisë së atdheut i dhuruan gjënë më të shtrenjtë – edhe jetën, që përmes një apeli të përbashkët, të ndikojnë në zbutjen e këtij konflikti absurd politik e institucional, sepse për të gjitha mosmarrëveshjet ka zgjidhje, kurse ajo mund të arrihet vetëm nëse interesat e Kosovës dhe të popullit vihen mbi ato personale.
Një apel i përbashkët i familjeve patriotike të Jasharajve, të Haradinajve, të Gërvallajve, të Pajazitëve, të Lladrovcëve, të Zekajve do të mund të ishte zilja e ndërgjegjësimit në veshin e hutuar të politikanëve, të cilët pikërisht tani kanë nevojë të jenë të bashkuar afër njëri tjetrit.
Lidhja Shqiptare në Botë inkurajon të gjitha autoritetet morale e intelektuale të pavarura të Kosovës që t’i dalin në ndihmë atdheut të tyre, duke ngritur zërin e vetëdijesimit kolektiv para sfidave nëpër të cilat po kalojmë, aq më tepër kur politika e përçarjeve dhe hasmërive po e rrezikon ndjeshëm të tashmen dhe të ardhmën e popullit tonë.
Të nderuar politikanë, të nderuara institucione, kthehuni pak në retrospektivë para 21 viteve dhe krahasojeni gjendjen e atëhershme me të sotmen.
Kthejeni kokën prapa dhe kujtojeni nënën loke që kishte humbur të gjithë djemtë në luftë, kujtojeni atë fëmijën e përlotur që soldateska serbe ia kishte marrë babain dhe nuk ia kishte kthyer as eshtrat, kujtojeni atë nusen e re së cilës i kishte mbetur duvaku në duar, sepse dhëndri i ri mbeti dëshmorë në istikamet e luftës për liri.
Të nderuar politikanë, të nderuara institucione, shikojeni Kosovën tonë të dashur, e cila nuk ka gati asnjë pëllëmbë të saj pa gjakun e derdhur për lirinë që sot ju po e kontrabandoni për do interesa primitive që nuk i sjellin kurrfarë të mire qytetarëve të Kosovës.
Shikojini varret e dëshmorëve e martirëve, që iu rrinë si gurë ndërgjegjeje mbi qafën tuaj dhe iu përkujtojnë se ju nuk keni të drejt të abuzoni me frytet e lirisë dhe në emër të betejave absurde politike, të mbjellni përçarje në popull.
Kosova nuk ua ka borxh këtë papërgjegjësi totale, andaj është koha e fundit që të zmbrapseni nga skenarët e errët që shpijnë në rrënimin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Nëse vazhdoni kështu, ju do t’ua bëni qejfin gjithë atyre që para 21 viteve ishin kundër intervenimit të NATOs për ta çliruar popullin e Kosovës nga kthetrat vrastare të Serbisë.

Në rrethanat në të cilat po kalon Kosova, si pasojë e pandemisë globale, Lidhja Shqiptare në Botë është kundër çfarëdo mocioni që shpie në destabilizimin institucional të shtetit të Kosovës dhe i thërret të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta refuzojnë këtë mocion, duke e prolonguar atë për ndonjë kohë më të mirë, atëherë kur kushtet do të diktojnë një politkëbërje më pragmatike.

Zoti e ruajt Kosovën dhe popullin shqiptar dhe ju ftojmë të jeni bashkë në luftimin e virusit Covid 19, i cili do bëhet edhe më i frikshëm në ditët në vijim.

Kjo luftë fitohet nëse politikanët dhe qytetarët e Kosovës vendosen në një front të përbashkët, sepse kur jemi bashkë nuk ka asnjë armik që i mund shqiptarët.

24 mars 2020
Simon Kuzhnini, Kryetar Nderi dhe
Nazmi Jakurti, Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë