Identiteti i diasporës

0
327

Nga Denis Nushi

Identiteti i gjeneratave të reja në diasporë nuk bazohet në të qenit kosovar si para dhe gjatë luftës (1989-1999), kur familjet ikën nga Kosova. Në atë periudhë kohore të gjithë braktisën shtëpitë e tyre me mendimin dhe bindjen se do jenë larg vendlindjes vetëm deri sa të mbarojë ajo. Gjatë kësaj kohe, identiteti kosovar madje u forcua për shkak të ndjenjës mizore që ndante një popull i cili vuante nga pasojat e luftës.

Me mbarimin e luftës, shumë familje kosovare u kthyen dhe rifilluan jetën në vendlindje. Por, në anën tjetër, edhe shumë familje mbetën jashtë atdheut. Sa i përket këtyre të fundit, debatohen dy këndvështrime. Njëri është procesi i izolimit ose “getoizimit” në vendet ku jetojnë kosovarët – si fizikisht: me vendbanim në zonat ku jetojnë vetëm shqiptarët dhe përfaqësuesit e kombeve tjera që kane braktisur vendin e tyre për shkaqe të ngjashme të luftës, politike ose socio-ekonomike – Ashtu edhe në aspektin ideologjik me një moto të një kryefamiljarit “unë dhe familja ime jemi shqiptarë dhe mbesim të tillë kudo në botë”. Aspekti i fundit i përmendur, në radhë të parë nënkupton një lloj injorance, prapambeturi dhe mosrespekt për vendin nikoqir. Së dyti, perceptohet si fakt i pajtimit me një jetë me kushte minimale, të izolimit dhe regresit duke folur vetëm gjuhën amtare, dhe duke qëndruar në ambiente ku flitet vetëm gjuha shqipe, për arsye se aplikimi i një gjuhe tjetër nuk është i domosdoshëm. Këtu duhet cekur se shumica e diasporës shqiptare janë të punësuar në vendet ku nevojiten vetëm aftësitë bazike të gjuhës vendase, si p.sh. në sektorin e ndërtimtarisë dhe prodhimtarisë.

Arbitrariteti zyrtar

Një mendim përfaqësuar nga Ministria e Diasporës të Republikës së Kosovës është se klubet “kulturore” shqiptare duhet promovuar. Ky mbështetet me argumentin se familjet dhe rinia kosovare mblidhet, e flet gjuhën amtare dhe kalon kohë në një ambient të “Kosovës së vogël”. Me keqardhje duhet kundërshtuar këtë mendim për arsyet e lartpërmendura. Shkurtimisht, sepse koha ka ndryshuar – këto klube kanë pasur rol të veçantë në kohën e luftës dhe rindërtimit – dhe së dyti, për të evituar “ghetoizimin” fizik dhe ideologjik. Pyetja shtrohet: nëse kundërshtohet ky mendim dhe kjo qasje, çfarë zgjidhje alternative mund të kemi? Një zgjidhje është integrimi në strukturat lokale në diasporë, i cili zgjeron diapazonin intelektual dhe atë profesional të gjeneratave të reja jashtë vendit. Më konkretisht, me perfeksionimin e shkrimit dhe leximit të gjuhës në vendin nikoqir, me “absorbimin” e praktikave dhe politikave në fushën e arsimimit dhe atë profesional, formohet një “aset” ose fuqi e jashtëzakonshme për Kosovën. Me sportistë, aktorë dhe këngëtarë të profilizuar jashtë vendit, Kosova vetëm se ka marrë dhe merr çdo ditë famë dhe popullaritet pozitiv. Të gjithë këta persona kanë të përbashkët integrimin e tyre në shtetin nikoqir, duke mos mohuar origjinën dhe lidhjen emocionale ndaj Kosovës. Kjo është e rëndësishme, posaçërisht në këtë fazë sensitive, ku njohja e shtetit të ri luan një rol të veçantë. Personalitete karizmatike me një rol lobues të një “ambasadori” për shtetin e ri jashtë kufijve të tij, kurrë nuk mjaftojnë. Në këtë drejtim duhet punuar, që po ashtu kuadri akademik, si studentët dhe profesorët, dhe ai profesional në fushat e politikës, ekonomisë, medicinës, arkitekturës, inxhinieringut së pari të profilizohen në vendet ku jetojnë. Si hap i dytë, duhet konsideruar kontributin e tyre për vendlindje, ku Ministria e Diasporës mund të inkuadrohet dhe t’i analizojë mënyrat e përdorimit të kësaj fuqie (‘brain gain’ dhe ‘brain circulation’).

Ky opinion që përkrah integrimin e diasporës konform ligjeve, rregullave dhe profesionalizmit lokal mbështetet edhe nga fakti që automatikisht evitohen situatat dhe ambientet ku rinia me origjinë kosovare shoqërohet me një bashkëmoshatar (‘peer’) të dekurajuar nga sistemi ku ai jeton, për vetë shkakun e mosintegrimit të tij. Një situatë e tillë rezulton në papunësi, mosinteresim për arsimim, madje edhe në vepra ilegale ku përfshihet edhe krimi. Por, në anën tjetër, një angazhim i jashtëzakonshëm me profesionin ose zanatin me të cilin do të merreshin ata, thjesht nuk do iu ofronte as hapësirën kohore, pa marrë parasysh aspekte tjera.

Pasurimi i identitetitit

Duke konsideruar identitetin nacional – ndjenja e personit që i përket një shteti ose një kombi, që një person ndan me një grup njerëzish tjerë – në debatin e zhvilluar me temën “Identiteti i gjeneratave të reja të diasporës dhe evoluimi i raportit të tyre me Kosovën” pjesëmarrësit diskutuan probleme konkrete familjare me të cilat diaspora kosovare përballet. Prindërit me një anë dëshirojnë që fëmijët e tyre të flasin shqip, t’i mbajnë traditat dhe zakonet në shtëpi – këtu përfshihet edhe dëshira e martesës me kosovarë/kosovare për fëmijët e tyre – dhe në anën tjetër të kenë sukses në shkollë dhe jetën e përditshme shoqërore. Shumë prindër kanë sukses dhe fëmijët rriten me një balancim te shëndoshë të mentalitetit shqiptar dhe atij të shtetit nikoqir. Ata krijojnë të ashtuquajturin identitetin ‘hibrid’. Në një debat të nxehtë emocional nuk u arrit një konsensus, por asnjëri nga pjesëmarrësit nuk kundërshtoi përmbledhjen se: Nëse diaspora kosovare është në gjendje me një anë të absorbojë “t’mirat” e shtetit nikoqir si për shembull arsimim kualitativ, profesionalizmin në fusha të ndryshme, shprehinë e punës, saktësinë kohore të paraqitjes në takime zyrtare. Dhe në anën tjetër, të mbajë dhe aplikojë praktikat që ndërlidhen me origjinën e tyre si: përkushtimi për familje dhe lidhjet e forta të saj, ngrohtësia shtëpiake që i ofrohet çdo mysafiri, aftësitë për t’iu adaptuar çdo gjuhe dhe vendit në botë. Në këtë mënyrë, këta individë sigurisht se do korrin suksese në jetën e sotme dinamike si “jashtë shtëpisë” – në punë dhe profesion – ashtu edhe “brenda pragut dhe familjes” vazhdimisht duke ripërtërirë dhe kultivuar mbajtjen e identitetit. Ky balancim kishte me qenë ideal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here