Ibish Neziri për Agron Bajramin

0
295

ME RASTIN E NJËMUJORIT TË NDARJES SË AGRON BAAJRAMIT NGA JETA
(Fjala e mbajtur në tubimin përkujtimor më 6 prill 2018 ne Winterthur)

E nderuar Lirije Bajrami, bashkëveprimtarja dhe bashkëshortja e Agron Bajramit!
Të nderuar pjesëmarrës!

Në prak të një mujorit të ndarjes nga jeta të Agron Bajramit, valltarit e koreografit,  themeluesit e udhëhqeqësit të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „ Shota“ në Zvicër, pirografit dhe ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryefamiljarit, jemi mbledhur që edhe një herë, sonte, ta përkujtojmë e të flasim për jetën dhe veprën e tij, gjë që nuk është aspak e lehtë ngase Agron Bajrami për 54 vjetët e jetës së tij ka krijuar e ka dhënë aq shumë sa pa hezitim mund të thuhet se me punën dhe angazhimin e vet është shndërruar në një figurë shumëdimenzionale.

Agroni ka lindur më 18 janar të vitit 1964 në Prishtinë. Në mesin e vëllezërve dhe motrave ishte fëmija më i vogël i Ibrahim dhe Azize Bajramit nga Prishtina. Gjyshi i Agronit si fëmijë i vogël e përjetoi fatin e keq të popullit të tij që pas Kongresit famëkeq të Berlinit të jetë i ndjekur nga shtëpia dhe vendlindja e tij Kozhinca e Sanxhakut të Nishit dhe të vendosej në Prishtinë, në lagjen e Muhaxherëve e cila edhe emrin e kishte marrë nga themeluesit e kësaj lagjeje, të përndjekurit prej atyre viseve që Serbia i kishte shkuar me hekur e me zjarrë.

Fëmijëria e Agronit ishte sikur pothuajse e gjithë bashkëmoshatarëve të tij shqiptarë, fëmijëri e përcjellur me mungesa të shumta, të cilat më së shumti i ndienin fëmijët.

Në shkollë i dalluar e i dashur nga shokët dhe mësuesit, gjithnjë e në të gjitha situatat shumë i gjallë dhe i hareshëm. Gjithnjë i gatshëm për t’i ndihmuar të tjerët.

Demonstratat e vitit 1981 Agronin e gjejnë në vitin e tretë të shkollës së mesme ekonomike në Prishtinë. Ai edhe pse ende i ri nga mosha, bashkë me shumë shokë e bashkëmoshatarë tjerë mori pjesë në ato ngjarje që historisë shqiptare ia ndërruan kahjen. Derisa studentët e punëtorët shqiptarë përmes tymit e gazit lotësjellës përpiqëshin të depërtonin në qendrën e qytetit, Agroni vraponte sa në shtëpi sa te demonstruesit duke iu dërguar qepë të grira e copa pëlhurash që të mbroheshin nga ai gaz, të cilin milicia serbe i hidhte mbi protesuesit pa kursim. Madje, diku Agroni kishte arritur ta gjente edhe një çantë plotë me maska mbrojtëse nga helmet, të cilat ua shpërndate demonstruesve.

Këto ngjarje te Agroni pos që kishin lënë përshtypje të madhe, njëkohësisht e kishin pasur edhe ndikimin e vet të madh, ndikim ky i cili pak vjetë më vonë do të shfaqej përmes „Valles së demonstratave“ koreografinë e së cilës e kishte bërë vetë.

Pjesëmarrës të nderuar, të flitet për Agronin, vërtetë është vështirë sepse njeriu nuk di nga të ia filloj. Të flas për Agronin vallëtar, për Agronin koreograf, për Agronin themelues dhe udhëheqës për 25 vjetë të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër, për Agronin pirograf, për Agronin ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Agronin kameraman dhe montazher, deri në përpikmëri apo për Agronin humanist, prind të përkushtuar e kryefamiljar dhe mik të shumë e shumë njerëzve? Figurë vërtetë shumëdimenzionale!

Agroni fillimisht talentin prej valltari kishte filluar ta shpalosë në Shoqërinë Kulturo Artistike „Bajram Curri“ të Universitetit të Prishtinës, në të cilën shoqëri shumë shpejt do të bëhët edhe koreograf dhe jo vetëm në këtë shoqëri, por edhe në disa Shoqëri tjera Kulturo Artistike të disa shkollave dhe Bashkësive Lokale të Prishtinës, ku tregoj sukses të jashtëzakonshëm.

Duke qenë i tillë , ai shpejt ra në sy të personave përgjegjës të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve „Shota“ të Prishtinë  dhe aty nga fundi i vitit 1984 u gjend në radhët e këtij ansambli, ku për tri vjetë radhazi, deri në vitin 1987, Agroni shkëlqei në të gjitha paraqitjet e tij.

Në këtë vit Ansambli “Shota” nga Prishtina me ftesën e Konsullatës Jugosllave, e cila ishte bërë krejtësisht për qëllime politike, u nis në një turne njëmujore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fund të turnesë  “Shota” u kthy në Prishtinë, por pa valltarin e saj Agronin. Agroni u nda nga grupi dhe u ndal aty për ta vazhduar veprimtarinë prej valltari edhe për 4-5 muaj mes mërgimtarëve të shumtë që përpiqeshin ta ruanin dhe kultivonin këngën dhe vallen shqiptare në SHBA. Me angazhimin e tij, fillimisht me një grup ulqinakësh e pastaj edhe me një grup fëmijësh e të rriturish nga Veleshta e Strugës, sikur ua kishte ofruar një copë atdhe.

Gjatë këtyre muajve, i telefonuar shpesh nga Mustafë Xhemaili, dhëndërr i Agronit, kuadër i lartë i LPRK-së dhe i lutur në emër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës të kalonte në Zvicër për ta ndihmuar dhe udhëhequr SHKA “Luftëtarët e Lirisë” siç e kishte ndihmuar edhe më parë, Agroni një ditë pranvere të vitit 1988 e mori biletën njëkahëshe dhe fluturoi përmbi Atlantik për t’u ndalur në aeroportin e Cyrihut në Zvicër, ku ashtu si në gjithë Evropën Perëndimore, pas demonstratave të vitit 1981, kishte filluar të lëshonte rrënjë dhe të rritej mërgata politike shqiptare, e cila pos punës politike, kishte filluar të organizonte edhe shoqëri kulturo-artistike, njëra prej të cilave ishte „Luftëtarët e lirisë“ që vepronte në kuadër të kësaj organizate në Zvicër.

Ky grup për Agronin nuk ishte i panjohur. Ai e kishte vizituar edhe më parë Zvicrën ku gjatë atyre vizitave, kishte bërë përpjekje për ta bartur përvojën prej valltari të formuar mirë në ansamblet kosovare, që tashmë kishin bërë emër si Shoqëria Kulturore Artistike “Bajram Curri” dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Në verën e vitit 1988 te Agroni në Zvicër vjen edhe Liria, vallëtare e shkëlqyeshme e Shoqërisë Kulturo Artistike „Bajram Curri“, ku ishte njohur me Agronin.

Njohja e tyre në Prishtinë do të kurorëzohet me martesë më 19 korrik të vitit 1988 në Zug. Nga kjo ditë Liria, pos bashkëshorte, për gati 30 vjetë do t’i jetë edhe shoqe edhe bashkëveprimtare e edhe bashkudhëtare në të gjithë hapat, në të gjitha sukseset. Ata së bashku do të rreshtohen në Shoqërinë Kulturo Artistike “Luftëtarët e Lirisë”, përkrah Shpend Dervish Shaqës, Avdi Mujës, tani dëshmor i kombit, Ilmi Baliut, Mirvete Xhemailit, Memë Zukajt, Igballe Rashitit, Xhemile Krasniqit, Fikrije Krasniqit dhe Vera Elshanit, ku Agroni u dëshmua si vallëtar dhe koreograf i shkëlqyeshëm. Ai repertoarit të „Luftëtarëve të Lirisë“ ia shtoj edhe tri valle të reja, si “Vallën je Demonstratave” kushtuar Demonstratave të  vitit 1981, vallën e Jakup Ferit dhe  vallën “Po i bjen era retë e zeza”, të cilat për kohë të gjatë do të mbeten të freskëta në kujtesën e mërgitarëve shqiptarë.

Edhe pse përkrahja nga organizata nuk mungonte, kornizat e saj ishin të ngushta për Agron Bajramin, artist. Ndryshime të mëdha kishin filluar të ndodhnin në skenën politike në Kosovë, rajon dhe Evropë. Ai e ndinte nevojën për hapësirë më të madhe krijuese. Kështu, vendosi ta themelojë një grup të ri vallëzimi me një ide e cila do të zhvillohet dhe do të shndërrohet në një ide konkrete: Shkollë vallëzimi për fëmijë e të rinjë në Zvicër! Ushtrimet i filloi me dy veta: me bashkëshorten Lirinë dhe me vajzën Shkëndinë, e cila nuk kishte më shumë se 2 vjet. Kjo do t’i mundësojë që në mënyrë më aktive dhe më profesionale, të merrej me mjeshtrinë e tij prej koreografi e valltari, me çka edhe i vuri shpejt bazat fillestare, por të forta, për themelimin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër, e cila këtë vit e shënon 25 vjetorin e themelimit.

Vetë akti i themelimit të grupit me emrin “Shota” ishte edhe një përpjekje e Agronit në vargun e shumë të tjerave për ta mbajtur të gjallë frymën kombëtare, të rrezikuar me gjithçka të veten, sidomos në Kosovën e robëruar, nga rridhnin pjesa dërmuese e mërgimtarëve në Zvicër, ishte përpjekje që vallen shqiptare ta vënte në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar me moton „Të mësohemi të ecim shqip!“, gjë që ia doli me sukses të plotë.

Ushtrime intensive, shqetësime të pakufishme, shpeshherë edhe net të tëra pa gjumë para paraqitjes së parë me grupin e nxënësve dhe këto netë pa gjumë për Agronin do të vazhdojnë. Shpeshëherë më shumë se oshëtimat e lodrës e duartrokitjet e publikut që për herë të parë i shihte vallet shqiptare, Agroni i kishte dëgjuar të rrahurat e zemrës në gjoksin e tij. Ishin këto duartrokitje që për Agronin hapnin shtigje për hapa më të mëdhenj

Talenti Agronit dhe përkushtimi i tij vetëmohues ndaj valles si element thelbësor i shpirtit të popullit tonë, bënë që të afrohet lirizmi i jugut me epizmin e veriut dhe nga këto të dyja bashkë ta nxjerrë atë më të bukurën e valles shqipe e cila prekte shpirtin e secilit prej nesh.

Ai dhe vallëtarët e tij me veshje e simbole kombëtare filluan të shihen kudo, në Cyrih dhe Bernë, në Basel, Luzern dhe Zug, në Gjenevë e Neuchatel, në Örlikon e në Schwamendigen, në Aarau, Brugg e Baden, në St Galen, Schafhausen e në Winterthur dhe në shumë e shumë vende tjera, duke i pushtuar pos shesheve edhe faqet e shtypit lokal e qendror zvicëran. Gjithnjë i palodhshëm, gjithnjë i gatshëm për ta befasuar këndshëm publikun, i cili gjithmonë e shpërbleu me duartrokitje frenetike e shpeshherë në fund të programit edhe me bashkim në vallen shqiptare. I tillë ishte edhe në sallat e sheshet e Parisit e Lionit, Luksemburgut e Vjenës, qoftë si solist, qoftë si udhëheqës i  Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër.

I tillë ishe përherë dhe kudo, dhe si i tillë do të mbahet mend nga të gjithë ata që e njohën.

Dalja e tij në skenë gjithnjë pritej me kërshëri të madhe, sepse ishte ai që zotëronte çdo gjë në skenë e në sallë, ishte ai që për një çast mërgimtarëve ua shëronte plagët e mallit për atdheun, që dëshprimin e dhimbjen për shokët e rënë në luftëra dhe beteja gjithandej atdheut na shndërronte në krenari.

E cilit prej nesh nuk i ka rënë t’i shihte „Vallen e Shqipeve”, „Vallen e Osman Takës“ e

vallen „Festë e madhe“ me të cilat i ndizte zemrat e të gjithë spektatorëve e i jepte vrull gjakut arbëror që po përpiqet të mbijetoj në këto anë ku na degdisi fati i jetës?

Agron Bajrami, pjesëmarrës të nderuar, jetonte me vallen e për vallen, por jo vetëm kaq. Koreografia dhe vallja ishin vetëm njëra anë e Agronit. Agroni kishte edhe pasione tjera, edhe vlera tjera.

Kur Kosovën e përfshinë flakët e luftës, Agroni u shkëput për ca kohë prej valles e nxënësve të tij, të cilët nuk ishin të paktë dhe mori rrugën drejt atdheut duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhët e së cilës i kaloi gati të  gjitha zonat e luftës nga Jasiqi, Juniku, Gllogjani, e deri në Jezercë. Gjatë qëndrimit të tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishte takuar edhe horonjtë Bekim Berishën – Abejën dhe Bedri Shalën, për të cilët gjithnjë fliste me shumë respekt. Atje, ngjarje të shumta e figura të shumta që sot kanë zënë vend në faqet më të ndritura të historisë së kombit, i fiksoi në shirit filmi me kamerën e tij dhe kur u kthy në Zvicër me vete solli edhe idenë për një valle, të cilën shumë shpejt e vuri në skenë – „Vallen e UÇK-së“ me të cilën bënte që të gjithë spektatorët të ngriteshin në këmbë e të shpërthenin në duartrokitje e brohoritje të parreshtura për UÇK-në e cila gjithandej Kosovës luftonte heroikisht për çlirim nga okupatorët serbë.

Shok e bashkëveprimtar i mrekullueshëm që impononte respekt, që në debate nxehej, por asnjëherë nuk hidhërohej, bashkëpunues i sinqertë me grupet tjera simotra, pirograf i shkëlqyeshëm, i cili la më shumë se 150 punime në pirografi i frymëzuar nga figurat dhe ngjarjet më të ndritura nga historia kombëtare, por edhe punime tjera me motive nga ambienti ku ka jetuar këto 30 vjetët e fundit. Humanist deri në pikën e fundit që gjithnjë gjendja e keqe qoftë shëndetësore qoftë ekonomike e tjerëve e shqetësonte dhe e angazhonte deri në pafundësi për të gjetur zgjidhje për ta. Kameraman e montazher i përpikt në emisionin për fëmijë „Murmi“ në Tele M1, por asnjëherë i pa shkëputur nga vallja. Sa krenar ishte ai e të gjithë ne tjerët që ishim pranë tij me paraqitjet e shkëlqyeshme në Paris, Lion, Vjenë e Luxemburg.

Dashuria ndaj folklorit shqiptar pa kufi e pa krahina dhe puna me përkushtim, pas 22 vjetë veprimtare e çoi në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër, ku sikurse edhe në të gjitha paraqitjet e deritashme, pos që shkëlqei, bashkë me simotrat e veta, bëri që shtypi i Tiranës t’i mbushë faqet me shkrime madje edhe me tituj „Shqiptarët e Zvicrës pushtuan kalanë”. Po sa krenar që ishim kur më 2015, së bashku, dolëm në skenë dhe pushtuam Kalanë madhështore të Gjirokastrës!

Miqë të nderuar, në parathënien e librit monografik për Shkollën Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër, botuar me rastin e 15 vjetorit të punës, redaktori Tahir Gecaj thotë: „Në rrethana të caktuara historike, çfarë ishin këto që e përcollën jetën dhe veprimtarinë e Mërgatës shqiptare në cilëndo prej vendeve evropiane, roli i individit entuziast për t`i ruajtur dhe për t`i kultivuar vlerat e trashëgimisë kulturore të etnisë së vet, është vërtetë i madh, e herë – herë, edhe i pa zëvendësueshëm. Dhe, thënë pa kurrfarë dyshimi, ky konstatim i referohet një krijuesi artistik, në kuptimin e ngushtë të fjalës, Agron Bajramit, që artin e të vallëzuarit të epikës sonë legjendare, brumin e së cilës e prek edhe tragjika e shekujve të robërimit, – e barti në qenien e tij, e kultivoi, e shpërndau, por edhe e transmetoi përmes vallëzimit.

Dhe tani fare në fund, po të shkruhet për aktivitetet kulturore në Zvicër, apo të flitet për to, gjithmonë do të jetë një pikënisje dhe një pikëtakim. Pikënisja dhe pikëtakimi do të jetë Agron Bajrami me shkollën të cilën e themeloi dhe e udhëheqi deri në ditën e fundit të jetës së tij, më 12 mars të këtij viti, duke i dhënë frymë valles shqipe me mbi 600 të rinjtë dhe fëmijët që kaluan përmes kësaj shkolle dhe përmes bashkëpunimit me shumë grupe, disa prej të cilave edhe i ndihmoi të themelohen.

Mbase, pa e tepruar, e natyrisht, edhe mbështetur në vlerësimet e shumta, si nga shqiptarët në mërgim, ashtu edhe nga kuadra të spikatura të kulturës zvicerane, mund të thuhet se themeluesi i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “ Shota” në Zvicër, valltari dhe koreografi Agron Bajrami, ishte vënë në rol misionari të ruajtjes, kultivimit dhe shpërndarjes së kulturës shqiptare qoftë brenda radhëve të Mërgatës shqiptare, qoftë duke ua bërë të njohura ato vlera qytetarëve të Zvicrës, me çka padyshim e meriton titullin „Ambasador nderi i kulturës shqiptare“!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Agronin!

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here