GRATË SHQIPTARE TË ARIZONËS FESTË NË STILIN KAUBOJ

0
2204

Nga Jeta Hajra, Arizona

Ditë më parë Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës, për të dhjetin vit me radhë festoi 7 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Manifestimi u bë në hotelin e bukur JW Marriot në Feniks (Phoenix), kryeqytet i Arizonës.  Sikurse çdo vit, ky manifestim bëhet me një temë apo stil të veçantë të veshjes, sa për atraksion. Kësaj here shoqata kishte  vendosur që gratë të visheshin si  amerikanet, me veshjen tradicionale me kapela, me xhinse dhe me çizme (si cow girls).

Programin e hapën dy zonjushat e reja, Rina Hajra dhe Bleta Kodra:

“Të nderuara gjyshe, nëna, gra dhe mësuese,  urime 7 e 8 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe Ditën Ndëkombëtare të Gruas.

Jemi mbledhur këtu për të nderuar gjithë mendjen e ndritur të mesuesve dhe të intelektualëve të tjerë shqiptarë, që sakrifikuan gjithçka që kombi, gjuha dhe kultura shqiptare të mbijetojnë.

Jemi mbledhur këtu, po ashtu, për ta festuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në shenjë respekti për të gjitha përpjekjet e të gjitha grave nga të gjitha këndet e botës, të cilat kanë luftuar për të drejtat e grave dhe ne sot jemi  këtu e festojmë. Njëkohësisht i respektojmë, bashkeëeprojmë dhe i  përkrahim të gjitha përpjekjet aktuale të grave për më shumë dinjitet. Punoni, veproni me dinjitet për më shumë dinjitet femëror dhe njerëzor”.

Pasoi hapja e programit me shfaqjen me projektor në ekran të dy videove me pamje nga protesta të ndryshme të grave nëpër shtete të ndryshme të botës, por edhe në trojet shqiptare. Më pas, kur publiku priste çfarë do të ndodhte përballë skenës, salla ushtoi nga brohoritjet e valltareve të shoqatës, duke imituar gratë amerikane dhe shoqëruar me muzikë të perëndimit.

Vallja krijoi një atmosferë shumë të hareshme dhe u ndoq me vëmendje të madhe, u duartrokit gjatë dhe u pëlqye shumë. Pas ngrënies së drekës, prof. Jeta Hajra, në emër të shoqatës,  falënderoi çiftin dr. Elonia dhe dr. Arben Lasku, për kontributin e vazhdueshëm që kanë dhënë për afro dy dekada për shoqaten dhe komunitetin shqiptar të Arizonës në fusha të ndryshme. Ndërkaq, dr. Elonia prezantoi historianen, juristen, dhe shkencëtaren e guximshme Elena Kocaqi. Pas saj Elena përshëndeti organizatoret dhe të pranishmet me shumë respekt. Më pas ajo u shpërndau Certifikata mirënjohjeje anëtareve të grupit udhëheqës të shoqatës: Marinela Papa – Konomit, Kristina Këlliçit, Jeta Hajrës, Bleta Kodra – Ymerit, Zamira Qalliajt dhe disa grave e vjazave të reja jashtë grupit udhëheqës, të cilat në vazhdimësi kanë ndihmuar Shoqatën e Gruas. Mirënjohjet ishin firmosur nga dr. Elena Kocaqi. Më vonë udhëheqëset e programit kërkuan që të gjitha mësueset të ngriheshin në këmbë dhe kërkuan nga publiku që të duartrokiste për kontributin e tyre në edukimin e brezave të shumtë. Më pas u kërkua që të ngriheshin në këmbë të gjitha nënat, të cilat kishin lindur fëmijën e parë, duke ua uruar emrin Nënë, me dëshirën që të jenë nëna të lumtura dhe krenare. Pas kësaj një falënderim për mysafiret, të cilat kishin ardhur për herë të parë në atë solemnitet.

Më vonë filloi muzika nga të gjitha trevat shqiptare, udhëhequr dhe përzgjedhur nga I riu Reinold Këlliçi i diplomuar ne artet e bukura.  Më pastaj publiku pati kënaqësinë t’i  shikonte  vallet nga Grupi i valltareve të vogla “Ora”, të cilat vallëzuan me këngën “Baresha” të Bilbilit të Kosoves Nexhmije Pagarusha, orkestruar nga Shkëlzen Doli. Një mirënjohje e vecantë iu dha nxënëses së shkollës së mesme, Xhesina Fidani, e cila  përgatit me shumë përkushtim dhe dashuri valle me fëmijët shqiptarë të Arizonës. Po ashtu, një mirënjohje dhe falënderim i veçantë iu drejtua mësueses veterane Fiqeret Zela, e cila për vite me radhë i mëson fëmijët shqiptarë të Arizonës si të lexojnë, si të shkruajnë dhe si të këndojnë shqip.

Në fund të pikave të programit, në ekran u dha trileri i filmit të Rina Hajrës, kushtuar luftës së Kosovës, xhirimi i të cilit do të përfundojë së shpejti. Pas muzikës së larmishme, që vazhdoi për orë të tëra, radha i erdhi dhe lotarisë, me ç’rast disa të pranishme fituan dhurata te ndryshme. Po ashtu gjatë gjithë kohës të prnishmet bënin foto të ndryshme nga celularet e tyre , po edhe nga  fotografisti I pasionur, Ensuel Kola.

Edhe ky takim ishte ngjarje që u solli mërgimtareve tona ndjenja të ngrohta takimi me njëra- tjetrën dhe me kulturën tonë të lashtë shqiptare, falë punës plotësisht vullnetare të një grupi grash  me vullnet të fortë për t’i kënaqur dhe bashkuar gratë e këtij komuniteti dhe për të kultivuar dhe vazhduar traditat shqiptare brezi që vjen pas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here