Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, simboli i identitetit kombëtar shqiptar dhe shtetëror përkujtohet në Gjenevë!

0
1405

Nga Irfan Musmurati, Gjenevë 6 Maj 2018

Vëllezër dhe motra, mysafir dhe ju të gjithë pjesëmarrës të nderuar !

 

Kam nderin dhe privilegjin të ju përshëndes në emër timin dhe të Këshillit Organizativ të kryesuar nga veprimtari i pa lodhur e konsekuent i çështjes kombëtare i nderuari Naim Hazir Shala, Rrethit shqiptaro Meyrinas me përfaqësues veprimtarin Abdyl Hamza, UPSH  me në krye drejtoreshën zonjën e nderuar Albana Krasniqi-Malaj, Rapsodët e Gjenevës të kryesuar nga i palodhshmi veprimtar Naim Demi, Sh.K.A “Ilirët” të udhëhequr nga shumë i respektuari Ilir Bytyqi dhe në emër të gjithë atyre që ishin pjesë këtij organizimi . Përshëndetje për profesorin e nderuar Astrit Leka, autorin e kësaj vepre përpara së cilës ne jemi sot,  e një përshëndetje shumë e  veçantë  shkon për organet e pushtetit të Komunës dhe të Kantonit të Gjenevës që na lejuan që ta kemi këtu bustin e  Heroit tonë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ,  ata na kanë nderuar ne, por kanë nderuar edhe veten e tyre , sepse kush nderon heronjtë nderon veten e tij. Gjithashtu përshëndetje për Konsullin e përgjithshëm të Republikës Kosovës zotin Ramadan Avdiu .

6 Maji i vitit 1405  është data kur u lind e sot festojmë ditëlindjen e 613-të të  heroit tonë legjendarë por njëkohësisht 17 Janari i viti 2018 shënonte 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, respektivisht përjetësimit të tij, ngase heronjtë nuk vdesin kurrë, por ata respektohen, nderohen, përkujtohen e jetojnë ndër breza ashtu siç jeton si  sot e 550 vite më parë në mendjet dhe në zemrat e të gjithë shqiptarëve Gjergj Kastrioti ynë.

Sot kur jemi këtu para bustit të këtij burri të madh të shqiptarisë, bëhem nostalgjik dhe kujtoj fëmijërinë time të hershme (të para50 viteve) kur nga babai im mësova poezinë e parë:

Për Skënderbeun
Mu në mes të sheshit
Hipur mbi një kalë
Skënderbeu ynë
Duket si i gjallë
Shpatën mban në dorë
Trimi Skënderbe
Qëndron si dikur
Roje për Atdhe !

Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit ishte sfidë në vete, ngase fati i tij ishte i lidhur ngushtë me fatet e Atdheut të pushtuar nga Perandoria më e fuqishme dhe më mizore e të gjitha kohërave Perandoria Osmane.

Ai në moshë shumë të re , bashkë me tre vëllezërit e tij u mor peng nga sulltan Murati II dhe u internua në Turqi si ndëshkim për luftën që i shpalli babai i tyre Gjon Kastrioti i cili kishte në zotërim një principatë të vogël në Arbërinë e Veriut.

Gjergj Kastrioti për njëzet e ca vite me radhë sa ishte peng në shërbim të Perandorisë Osmane, falë aftësive të jashtëzakonshme, arriti të shkollohej e të studionte në artin ushtarak duke bërë karrierë në disa ekspedita luftarake të zhvilluara kudo në Azinë e Vogël po edhe në disa vende të Ballkanit, në cilësinë e një gjeniu të strategjisë luftarake duke zhvilluar, udhëhequr e komanduar beteja të shumta dhe duke dalë gjithmonë fitimtarë, pra ai nuk e njihte humbjen.

Gjergji kishte fituar besimin e Sulltanit kështu që rreth vitit 1425 ai kishte vendosur që Skënderbeun ta kthente në Shqipëri si kuadër i Perandorisë Osmane, si Spahi në postin e subashit të Krujës ku ju dha mundësia që të e favorizonte elementin shqiptarë në administratën turke, kjo Sulltanit nuk i pëlqeu, kështu që rreth vitit 1430 vendosi që të e transferoj jashtë dhe larg Shqipërisë duke e ngritur në gradë e duke e emëruar sanxhakbej diku në Nikopol të Bullgarisë.

Puna e frytshme, talenti, dhe fitoret tanimë ishin bërë pjesë e pa ndashme e jetës së Gjergjit. Sulltani e admironte trimërinë e tij por edhe karakteristikat e tjera në fushën e suksesit  duke dal gjithmonë fitimtar, që Gjergjin  e bënin të ngjashëm me Aleksandërin e madh dhe për këtë arsye Sulltani i dha titullin Iskender.

Përkundër dhuratave, ofiqeve, gradave e privilegjeve të ofruar nga armiqtë e vendit, Gjergj Kastrioti asnjëherë nuk e harroi vendin nga vinte e origjinën e tij të gjakut Arbërorë duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me bashkatdhetarët e tij dhe nuk donte të e shihte veten më si kuadër i perandorisë dhe vetëm priste momentin e duhur që të shkëputej nga aty bashkë me shokët bashkëluftëtar e t’i kthehej Atdheut të robëruar. Dhe ai moment erdhi kur gjatë një ekspedite që vet sulltani e kishte ngarkuar Skënderbeun në luftë kundër Janosh Huniadit të Hungarisë diku në luginën e Danubit, Gjergj Kastrioti shfrytëzon rastin e shumëpritur, arreston sekretarin e sulltanit, e detyron atë të shkruaj urdhër për dorëzimin e Kalasë së Krujës Skënderbeut, dhe Gjergji bashkë me 300 kalorës tjerë bashkëluftëtarë kthehet në Shqipëri duke marrë nën kontroll Kalanë e Krujës dhe duke ngritur me 28 Nëntor 1443 Flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenore, e duke vazhduar më pas luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit mizor osmano-turko- aziatik.

Lufta ishte e vështirë sepse armiku ishte shumë  më i fuqishëm, por Gjergji ja njihte mirë dredhitë turkut të pa besë, andaj nevojë e detyrë mbi detyrat ishte që të bashkonte popullin shqiptarë rreth Flamurit të lirisë për marrëveshje e lidhje besa-besë në luftë për çlirim nga pushtuesit osman, dhe më në fund për ta kurorëzuar me 22Mars 1444 me Kuvendin e madh të Lezhës apo Kuvendi i Arbrit, ku morën pjesë të gjithë Princat , udhëheqësit dhe burrat shqiptarë më në zë të kohës.

Vendimet e Kuvendit të Lezhës shin:

  1. Krijimi i besëlidhjes Arbërore me në krye Gjergj Kastrioti.
  2. Formimi i ushtrisë së rregullt e të përbashkët me komandant të përhershëm Gjergj Kastrioti dhe
  3. Krijimi i arkës së përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Kuvendi i Lezhës ishte aleanca e parë vullnetare politiko ushtarake shqiptare kundër pushtuesve Osman dhe ishte bërthama e parë për krijimin e shtetit të  Arbrit respektivisht pavarësisë së Shqipërisë dhe kontribut i pa zëvendësueshëm për formimin e identitetit kombëtar shqiptarë.

Pas këtij akti madhorë filloi edhe çlirimi i zonave tjera të Shqipërisë duke krijuar aleanca të ndryshme tanimë jo vetëm brenda për brenda Shqipërisë por edhe me aletë tjerë ndërkombëtarë që ishin në luftë ose që rrezikoheshin nga Perandoria Osmane.

Gjergj Kastrioti për 25 vite me radhë  ishte në luftë me superfuqinë e kohës por ai mbajti vendin të çliruar  duke u përballur me luftëra e beteja të pareshtura me ushtrinë pushtuese e nganjëherë edhe në dy fronte  kundër Osmanëve dhe Venedikut, pa humbur kurrë asnjë luftë e  as një betejë dhe duke qëndruar barrikadë e pengesë kryesore  për mos depërtimin e Perandorisë Osmane  famëkeqe në vendet e perëndimit duke u bërë mburojë  e çeliktë e civilizimit Evropian.

Gjergj Kastrioti u shndërrua në simbol të luftës për liri dhe pavarësi në çdo shekull e në çdo epokë jo vetëm brenda trojeve tona shqiptare por edhe tek shtetet  perëndimore u bë simbol i ndërtimit të shtetit , ushtrisë dhe rezistencës ndaj armiqve, prandaj Gjergj Kastrioti kalon kufijtë e heroit të përmasave kombëtare e rajonale duke u bërë personalitet ushtarak e burrështetas i përmasave ndërkombëtare, dhe  jo rastësisht busti  e shtatorja e tij sot qëndron në shumë qendra të botës si në Tiranë, Romë, Shkup, Prishtinë, Bruksel, Londër, këtu në Gjenevë etj. Prandaj  me të drejtë shqiptarët  arbëreshet, arvanitasit kudo që janë ata sot krenohen me Heroin tonë Legjendarë sepse ai në të gjitha kohërat shërbeu si simbol i unitetit e bashkimit  drejt qëllimit të vetëm çlirimit dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve në tokat e tyre në një shtet të vetëm  të quajtur Shqipëri . Po u bashkuam ne, vetëm atëherë armiqtë tonë sado të fuqishëm qofshin, do ti mundim, bashkimi është çelësi i suksesit dhe fitores së sigurte thoshte ai!

Heroi ynë kombëtarë Gjergj Kastrioti, heronjtë, dëshmorët e martirët tjerë të Atdheut do të ishin në piedestalin më të lartësuar dhe të nderuar , atëherë dhe vetëm atëherë  kur burrështetasit e udhëheqin shtetin e jo pushtetarët pushtetin, burrështetasit  janë ata që e duan Atdheun e tyre  e që gjithë jetën, aftësitë, kapacitetin e tyre moral, intelektual e njerëzorë e përdorin për interesin e përgjithshëm e në shërbim të Atdheut, ndërsa pushtet mbajtësit interesin e përgjithshëm e të Atdheut e përdorin për interesat e tyre personale!

Jeton akoma Gjergj Kastrioti sepse vazhdon e jeton ndër breza ideali për Liri, jeton Shqipëria!

RROFTË POPULLI SHQIPTARË!
RROFTË SHQIPËRIA E BASHKUAR!
LAVDI E PËRJETSHME TË GJITHË TË RËNËVE PËR LIRINË E ATDHEUT!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here