Diaspora si subjekt – e jo objekt i politikave shtetërore

0
2348

Nga www.kallxo.com

Diaspora shqiptare, përjashto homogjenitetit (përbashkësinë) gjuhësor, është shumë heterogjene (e llojllojshme). Me të drejtë pritet që qeveria e Shqipërisë dhe ajo Kosovës (mundësisht në harmonizim edhe me qeveritë e vendeve pritëse) të krijojnë një plan operativ veprimi për krijimin e mekanizmave të qëndrueshme dhe strukturave gjithëpërfshirëse të diasporës (shqiptare), duke përfshirë edhe personat aktivë dhe rrjetet e diasporës si dhe grupet e ndryshme të interesit.

Pa kontributin e personave të diasporës me përvojën dhe veprimtarinë e tyre transnacionale mes vendit nikoqir dhe atij të prejardhjes, nuk ka asnjë gjasë të zhvillohet politikë e qëndrueshme për zhvillim përmes diasporës. Do të jetë vështirë të arrihen synimet e deklaruara për të vërë në lëvizje procese qarkore të zhvillimit dhe përparimit të mirëfilltë si për shoqëritë pritëse ashtu edhe ato dërguese.

Për t’i shërbyer sa më mirë vetës dhe shoqërisë/ve, është e nevojshme që strukturat e diasporës si në vendin amë ashtu edhe në atë rezident të institucionalizohen. Kjo, edhe për të mundësuar përfaqësimin proporcional të shqiptarëve të diasporës, veçanërisht qytetarëve transnacional, në institucionet politike.

Anashkalimi i kapitalit human të njerëzve të diasporës nga politikat shtetërore

Raporti “Diaspora si force shtytëse për zhvillim ne Kosove: mit apo realitet”, i publikuar nga Forumi për Iniciativë Demokratike thotë se dërgesat e diasporës kryesisht janë shpenzuar për konsum dhe mallra luksoze. Vetëm një pjesë shumë e vogël e parave të gatshme që vijnë nga diaspora shpenzohen në arsim. Ky studim thotë se niveli i investimeve nga diaspora mbetet më i ulët se sa pritej si dhe gjetjes se pjesëtarët e diasporës së Kosovës gjithnjë e më shumë po përqendrojnë përpjekjet e tyre në integrimin në vendin pritës dhe jo në investimet në Kosovë.

Deri më tani aspekti ekonomik theksohet së tepërmi, duke u anashkaluar tërësisht kapital ekzistues human i njerëzve të diasporës. Pastaj harrohen, apo anashkalohen aspektet tjera tejet të rëndësishme dhe jetike, fjala bie: dija bashkë me kapitalin e pasuruar kulturor, të cilin njeriu e multiplikon në një vend e shoqëri tjetër bashkë me përvojën e bërë se si do të mund të funksiononte më mirë administrimi i një shteti, çfarë shërbimesh mund të krijoj e ofroj një shtet dhe një shoqëri dhe se si mund të rritet standardi jetësor dhe mirëqenia e përgjithshme shoqërore.

Nevojitet institucionalizimi i përfitimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore

Grejsu Plaku dhe Ujbien Shehu në studimin “Migracioni dhe diaspora shqiptare (edhe e Kosovës)” kanë konstatuar se politikat shtetërore karshi diasporës deri më tani janë treguar të pamjaftueshme, edhe për shkakun se ato kanë marrë parasysh vetëm aspektin ekonomik. Është dëshmuar se investuesit e mundshëm kryesisht synojnë vetëpasurimin dhe jo gjithsesi ndjekin interesa dhe përparimin e përgjithshëm të shoqërisë.

Qeveritë, sa i përket politikave te diasporës duhet të përpilojnë e zbatojnë plane konkrete për ndërtimin dhe krijimi e mekanizmave dhe strukturave të përbashkëta e të qëndrueshme, të koordinuar të shumë niveleve, që duhet të përfshijë të gjithë aktorët relevantë, veçanërisht personat transnacional dhe rrjetet (shoqatat e grupet tjera të interesit) të diasporës shqiptare. Pra, për të quar këtë kapital human e ekonomik të njerëzve të diasporës në vendin e prejardhjes, nevojiten në rend të parë gatishmëria e autoriteteve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim me Organizatën përfaqësuese të interesave të diasporës – Germin, të krijojnë një kornizë për këto marrëdhënie dhe transferin e të gjitha burimeve.

Në diasporë, veçanërisht në Zvicër ka pjesëmarrje relativisht të lartë të migrantëve shqiptarë (kryesisht të Kosovës) ndër të tjera në institucionet arsimore, kulturore e shkencore, sociale e shëndetësore, bujqësore e teknologjike dhe në ato industriale, ekonomike e bankare. Ka shumë kosovarë që janë të angazhuar edhe si dhe në strukturat dhe shërbimet publike e shoqërore (shtetërore, civile: OJQ-të; shoqatat) e në strukturat politike (partitë; sindikatat; kuvendet komunale e kantonale, etj.) vendore. Intensifikimi i veprimtarisë trans-nacionale mes Zvicrës dhe Kosovës (e edhe Shqipërisë) mund të krijojë një vlere të shtuar nëse nxitet kjo përshtatshëm.

Pjesëtarët profesionistë të të gjitha profileve të mundshme të diasporës janë të motivuar (pa pasur nevojë për shpjegues, përkthyes, shoqërues, strukturë e infrastrukturë të kushtueshme shtesë) që mësimet dhe shkathtësitë e përvojat e tyre të pasuruara arsimore, profesionale, kulturore, politike dhe ato të përgjithshme shoqërore bashkë me aftësitë e reja, t’i bartin dhe zbatojnë përshtatshëm e me përkushtim gjithandej në vendin amë. Për të mundësuar ketë, nevojitet përfshirja institucionale e tyre me mandat të qartë të kontraktuar si nga shteteve amë ashtu edhe të atyre të vendeve ku jetojnë e veprojnë ata.

Marrëveshjet ndërshtetërore për bashkëpunim, si fjala bie ajo e “Partneritetit për migracion”, apo ajo “e riatdhesimit”, që si të tilla aktualisht janë të favorshme vetëm për njërën pale, do të mund të shërbenin për këtë përfshirje institucionale. Pos tjerash, përmes kësaj, burimet dhe kapitali njerëzor i nevojshëm i diasporës, do të mundësonin që trans-migrantët dhe rrjetet e diasporës të kenë një efekt pozitiv edhe në reformat dhe proceset e afrimit me BE-në.

Marrëdhëniet triadike diasporë, vendeve pritëse dhe atyre të origjinës

Menaxhimi më i mirë i burimeve dhe kapitalit njerëzor të migrantëve dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, krahas integrimeve ndërshqiptare në të gjitha fushat e mundshme bazuar edhe në shembullin dhe parimet themelore të integrimeve evropiane, ndër të tjera do të mundësonte që transmigrantët dhe rrjetet e diasporës të kontribuojnë më natyrshëm dhe më lehtë edhe në proceset e afrimit dhe integrimit të vedneve të prejardhjes në BE.

Më tej, ashtu sikur vijnë në përfundim edhe dy ekspertët Gejsu PLAKU dhe Ujbien SHEHU, është e nevojshme që: “…të krijohen partneritete midis Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve pritëse të emigracionit shqiptar në mënyrë që të ndërlidhen dhe kombinohen me efikasitet politikat e migracionit dhe zhvillimit. Bashkëpunimi i koordinuar dhe koherent midis vendeve të origjinës dhe vendeve pritëse është gjithashtu i nevojshëm për të arritur një menaxhim efektiv të migracionit që përfshin të gjitha aspektet e politikës së migracionit dhe zhvillimit. Përveç kësaj, përfshirja e rrjeteve të diasporës (transnacionalisht aktive) është e rëndësishme, në mënyrë që të krijohet një situatë e favorshme për të gjithë aktorët: një nga prioritetet e politikës së migracionit duhet të vendoset në shkëmbim dhe bashkëpunim ose në migracionin qarkor (cirkular)… Kjo do të mundësonte që nga kthimi i trurit të kemi transferim në shkëmbimin e trurit, gjegjësisht një qarkullimin të lirë të trurit.”

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.

Osman Osmani

Osman Osmani, është shqiptaro-zviceran nga Kosova, i përndjekur politikisht nga shteti jugosllav. Ndër të tjera është themeluesi dhe bashkëdrejtuesi i Qendrës profesionale për migracion (prointegra.ch) në Zvicër dhe iniciues i bashkëthemelues i strukturës se migrantëve socialdemokrat të Zvicrës, të cilët i përfaqëson në drejtorisë qendrore të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës si dhe funksionar i sindikatës Unia, përgjegjës për Evropën juglindore. Ai është angazhuar vazhdimisht edhe në zhvillimet shoqërore e politike në Kosovë.

Lexuesit që trajtimin duan ta lexojnë në gjuhën angleze, këtë mund ta bëjnë këtu në vegzën e bashkangjitur:

Diaspora as a subject, not object, of state policies

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here