DEPËRTIMI NUK ËSHTË DEPORTIM

0
321

Hajro HAJRA

Pak muaj më parë u dëbuan, u përzunë, u deportuan nga Kosova disa shtetas turq. Kjo bëri bujë të madhe dhe disa ditë radhazi mediet tona elektronike e të shkruara e kishin lajm kryesor këtë ngjarje. Kanë kaluar më shumë se 3 muaj dhe më nuk është aktuale kjo ngjarje, porse aktual do të jetë përherë përdorimi i gabuar i fjalëve, në rastin konkret i fjalës deportim të cilën, jo pak gazetarë e kanë zëvendësuar me fjalën depërtim, duke menduar gabimisht se ka të njëjtin kuptim sikur fjala deportim.

Le të shohim në titujt e dhënë më poshtë, marrë nga mediet elektronike, si është përdorur fjala depërtim në vend të asaj deportim:

Presidenti Thaçi gënjen publikisht: S’kam ditur asgjë për depërtimin e shtetasve turq (infokosova.org, 29 mars 2018);

Andin Hoti e quan të papranueshëm arrestimin dhe depërtimin e shtetasve turq (kosovapress, 29.3.2018);

Depërtohen nga Kosova në Turqi të arrestuarit e shkollës “Mehmet Akif” (Infopress, 29.3.2018);

Arrestimi dhe depërtimi i 6 shtetasve turq/ Avokati i njohur: Ja ligjet që shkeli Kosova… (syri.net, 30.3.2018);

Murati tregon si mund të ndikojë depërtimi i shtetasve turq në liberalizimin e vizave (botasot.info, 2 prill 2018);

Depërtimi i shtetasve turq: Mblidhen krerët e shtetit (orainfo.com, 30 mars 2018);

Gashi arsyeton depërtimin e shtetasve turq (informatat.com, 4 maj 2018);

Kuvendi i Kosovës, ende në terr informativ rreth depërtimit të shtetasve turq (gazeta55.al, 13 prill 2018).

Siç mund të shihet nga shembujt e dhënë më sipër, fjala depërtim është përdorur në vend të fjalës deportim, ndonëse këto dy fjalë kanë kuptime krejtësisht të ndryshme dhe nuk mund të përdoren për të zëvendësuar njëra-tjetrën. E mira e së mirës do të ishte që fjala e huaj deportim të mos përdorej fare dhe në vend të saj të përdorej fjala shqipe dëbim (ose edhe përzënie), por, nëse megjithatë vendosim ta përdorim këtë fjalë të huaj, le ta përdorim pa e ngatërruar me fjalën depërtim.

Le të shohim ç’kuptime kanë këto dy fjalë, për të cilat, disa gazetarë që nuk marrin mundin ta shfletojnë ndonjëherë fjalorin shpjegues të shqipes, mendojnë se janë sinonime, pra me kuptim të njëjtë ose të përafërt dhe i përdorin ato në vend të njëra-tjetrës. Fjala deportoj (lat. deportare) ka kuptimin: dëboj, përzë, deportim (lat. deportatio): dëbim, përzënie, si në shembullin e cituar më poshtë: 82 shtetas shqiptarë të deportuar nga Franca e Britania e Madhe (cna.al, 5 prill 2018).

Fjala depërtoj, ndërkaq, ka këtë kuptim: Arrij të futem diku; futem e zë vend diku, p. sh.: Depërtuan në prapavijat e armikut. Depërton në lëkurë. Përshkon tejpërtej diçka, shpon: Plumbi i kishte depërtuar zemrën. Ja disa shembuj të përdorimit të drejtë të fjalës depërtoj, marrë nga mediet elektronike: Propaganda, si mjet depërtimi i Rusisë në Ballkan (tiranatoday.com, 17.7.2017); “SHBA e shqetësuar (do të duhej: SHBA-të të shqetësuara) me depërtimin rus dhe turk në Balkan” (indeksonline.net, 27 prill 2018); Depërtimi i sllavëve në B allkan dhe vendosja e tyre në trevat iliro-arbërore (facebook.com, 9 dhjetor, 2015); Washingtoni mbron Ballkanin nga depërtimi rus (lajmi.net, 1 mars 2017).

 

Ndryshe nga folja deportoj, e cila përveç në diatezën veprore mund të përdoret edhe në diatezën pësore-vetvetore, kryesisht në vetën e tretë (ai u deportua, ata u deportuan), folja depërtoj nuk përdoret fare në diatezën pësore-vetvetore. Pra, nuk mund të themi u depërtova, u depërtove, u depërtua, u depërtuam, u depërtuat, u depërtuan. Mund të themi vetëm: depërtova, depërtove, depërtoi, depërtuam, depërtuat, depërtuan.

Me një kujdes pakëz më të madh mund t’i shmangim këto dhe të tjera gabime, të cilat po e shëmtojnë gjuhën tonë të bukur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here