Home / Diasporë / Denis Nushi – Migrimi / mobiliteti dhe identitetet hibride të diasporës

Denis Nushi – Migrimi / mobiliteti dhe identitetet hibride të diasporës

 
“I am a part of all that I have met”
(Alfred Lord Tennyson, poet nga Anglia, 1809-1892)
“Unë jam pjesë e të gjithë asaj që kam përjetuar”
(njerëzve që kam takuar, shijes që kam shijuar, muzikës që kam dëgjuar, ushqimit që kam ngrënë, emocioneve që kam ndjerë, etj.).
Përkthyer nga autori nga gjuha angleze

Abstrakt

Ky artikull me një qasje aplikative sqaron fillimisht fenomenin e identiteteve hibride, duke iu referuar shembullit shqiptaro-kosovar në diasporë. Rezultati në shembullin konkret të marrëdhënies midis identiteteve “cocktail”, “fluide” apo “tranformuese” të fëmijëve të lindur jashtë vendlindjes dhe formimit të identiteteve të duhura varet po ashtu nga fakti se sa kohë efektive prindërit janë të gatshëm dhe kanë mundësi t’u përkushtojnë fëmijëve të tyre veçanërisht gjatë periudhës kognitivo-zhvillimore. Sidomos ndikimin e rrethit shoqëror, dhe të ashtuquajturin “peer pressure” tek adoleshentët në diasporë duhet ndjekur me vëmendje të posaçme. Në fund të artikullit sqarohen mundësitë e krijimit të identiteteve të “shkrira njëra me tjetrën”, ku vetëm tiparet/ vetitë “e mira” e të dy “botërave” internalizohen deri te formimi final i personalitetit.

Hyrje

Inspirimi për të shkruar lidhur me fenomenin e identitetit hibrid në kontekstin shqiptaro-kosovar rrjedh kryesisht nga dy arsye:

Së pari, nga fakti që fenomeni i identitetit hibrid përshkruhet në literaturë si dukuri që lindi me kohën e globalizimit të filluar në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit njëzet. Dy vepra me famë botërore janë novelat: “Anne ici Sélima là bas” (1978) (Anë këtu Selima (atje) mbrapa, përkthyer nga gjuha frënge) nga Marie Féraud dhe “mörderische Identitäten” (2000) (identitetet vrasëse, përkthyer nga gjuha gjermane) nga shkrimtari francez me origjinë libaneze me renome botërore Amin Maalouf. Një nga qëllimet e këtij artikulli është poashtu inkurajimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë për të “kapur hapin” dhe të planifikoj studimin më të detajuar të këtij fenomeni, si dhe njëkohësisht të shkëmbej praktika profesionale dhe punime shkencore me akademitë e shkencave dhe arteve të shteteve tjera. Takimet dhe konferencat e përbashkëta pretendojnë t’a trajtojnë këtë temë më hollësisht – posaçrisht në kontekstin gjeografik të ballkanit dhe t’a fuqizojnë bashkëpunimin dhe studimin e këtij fenomeni në fushën e shkencave humane dhe sociale, më saktësisht në atë të sociologjisë.

Së dyti, duhet marrë parasysh që Kosova ka një diasporë të konsiderueshme. Supozohet se përafërsisht 703’978 individë me origjinë kosovare jetojnë dhe veprojnë jashtë vendlindjes së tyre (UNDP, 2014). Ndër ta duhet konsideruar një numër të madh të shqiptaro-kosovarëve që vetëm se kanë formuar të ashtuquajturit identitete hibride. Këta persona vazhdojnë të jetojnë midis “dy botërave”, në botën e vendit nikoqir, si dhe në atë të familjeve shqiptaro-kosovare, që ekzistojnë mbrenda mureve të shtepisë së tyre, ku ende flitet gjuha shqipe dhe praktikohen traditat shqiptare.[1]

Sociologjia si degë e shkencave humane dhe sociale interesohet për konstruktimin e identiteteve. Rrjedhimisht, kjo disiplinë trajton çështje si: Kush jemi ne? Si e perceptojmë ne vetën dhe si perceptohemi nga të tjerët? Këto pyetje kanë shtyrë shumë shkencëtarë dhe sociologë të përshkruajnë dhe analizojnë identitetet e sotme.

Në sociologjinë publike (përkthyer nga gjuha angleze) Germov dhe Poole (2011) përshkruajnë faktin se që nga shekulli nëntëmbëdhjetë proceset e globalizimit dhe lëvizja e kapitalit dhe e njerëzve kanë ngritur nivelin e përzierjes së kulturave dhe identiteve. Individët me identitete hibride kanë formuar lidhje transnacionale midis shoqërive të tyre në diasporë dhe atyre me origjinë shqiptaro-kosovare (në vendin amë).

Sipas autorëve të lartpërmendur termi hibrid rrjedh nga biologjia dhe përshkruan kultivimin selektiv të bimëve për prodhimin e varieteteve të reja me cilësi të përmirësuara siç janë performanca, shija dhe qëndrueshmëria (f. 190).

Në kontekstin e këtij artikulli pretendohet të sqarohet lidhja mes identitetit hibrid dhe migrimit/ mobilitetit si dhe përfshirja e aspekteve pozitive dhe negative në krijimin e po këtyre identiteve. Fillimisht, duhet definuar terminologjinë dhe konceptet e duhura në mënyrë që të arrihet deri te format aplikative për t’u marrë parasysh posaçrisht nga familjet shqiptaro-kosovare në diasporë.

Përkufizimet/ definicionet dhe problemet

Fillimisht (nga perspektiva e lexuesit) duhet sqaruar definicionin e “kulturës” i cili perdorët në këtë artikull, si dhe konstruktin e “personalitetit”. Këtë, para se të elaborohen identitetet hibride të cilat me zhvillimin e tyre mund të kenë ndikim te niveli individual me procesin e zgjedhjes së duhur të komponentëve përbërës në bazë vullnetare deri te zhvillimi final i personalitetit dhe mundësisë së një kontributi në një nivel kolektiv shoqëror.

Kultura:

“(a): Model i integruar i dijës njerëzore, besimit dhe sjelljes të cilat varen nga kapaciteti për të mësuar dhe transmetuar njohuritë për gjeneratat pasuese. (b): Besimet lidhur me zakonet, format sociale dhe komponentet materiale të një grupi racor, fetar ose shoqëror; gjithashtu komponentet karakteristike të ekzistencës së përditshme (si diversionet ose një mënyrë e jetesës) që i ndajnë njerëzit në një vend apo në një kohë (…). (c): Grup i përbashkët i qëndrimeve, vlerave, qëllimeve dhe praktikave që karakterizojnë një institucion apo organizatë (…). (d): Grup i vlerave, konventave ose praktikave sociale të asociuara me një fushë, aktivitet apo karakteristikë shoqërore të caktuar.” (O’mara, 2002)

Personaliteti:

“Gjurmët e qëndrueshme të një individi që në bazë të vazhdueshme qëndrojnë nëpër një sërë situatash. Personaliteti përbëhet nga modelet relativisht të qëndrueshme të veprimit shpesh të referuara si “Traits” (tipare, veti) tendenca dispozicionale, motive, qëndrime dhe besime të cilat janë të kombinuara në një strukturë pak ose shumë të integruar. Personaliteti përfshin karakteristika dhe atribute që e dallojnë individin nga të tjerët. Edhe pse perspektivat e ndryshme teorike të personalitetit caktojnë nivele të ndryshme të rëndësishme te gjenetika, te procesi i të mësuarit social apo elementet më të gjëra sociokulturore, shumë pikëpamje konsiderojnë secilin nga këta faktorë të rëndësishëm kauzal gjatë zhvillimit të atributeve të personalitetit. Në përgjithësi, shumica e teorive bashkëkohore lidhur me personalitetin konsiderojnë si gjenet, ashtu edhe mjedisin si ndikime të rëndësishme për formimin e personalitet. Teoritë e personalitetit ndryshojnë në bazë të rëndësise së vendosur njëherësh tek procesi qëndror i organizimit (p.sh. vetvetja ose egoja) dhe së dyti tek elementet strukturore të caktuara (p.sh. tipare, veti, motive) të karakteristikave të personalitetit.” (The Encyclopedic Dictionary of Psychology, 1983)

Identiteti: Në këtë artikull do të përdoret përkufizimi në identitetin social krahasuar me atë personal. Identiteti social i referohet mënyrës tonë së të menduarit në lidhje me ne dhe rrethin tonë shoqëror bazuar në të ashtuquajturin proces të “social grouping” (grupimit social, përkthyer nga gjuha angleze). Identiteti social përfshin komponentet e identitetit të një personi të cilat kanë origjinën për të qenë pjesë e një grupi të caktuar. Ky definim distancohet nga identiteti personal ose elementet e identitetit me origjinë nga vetitë (tiparet) e identitetit dhe lidhjeve inter-personale.

Identiteti kombëtar: Përbrenda identitetit social do të përqendrohemi tek identiteti kombëtar i cili shpjegon ndjenjën e një personi që i përket një shteti ose një kombi. Bëhet fjalë për një ndjenjë që një individ ndan me një grup njerëzish të tjerë. Ky identitet karakterizohet me komponentët që shohim në jetën e përditshme si: gjuha, historia, lidhjet familjare, tradita dhe zakonet, muzika, ushqimi tradicional, etj.

Identiteti hibrid: Homi Bhabha, i cili nga shumë shkenctarë konsiderohet si babai i teorisë hibride, krijon një gjuhë të re dhe model të ri duke përshkruar identitetin e vetes dhe të tjerëve përreth tij, kësisoj:

“Është bërë e domosdosshme të diferencohet midis pamjes dhe ngjashmërise së simboleve tek eksperiencat e ndryshme kulturore – letërsia, arti, muzika, ritualet, jeta, vdekja – dhe specifikat sociale e të gjitha prodhimeve të kuptueshmërisë në veçanti gjatë cirkulimit të tyre si indikatorë brenda një konteksti specifik të lokacioneve dhe vlerave të sistemeve sociale. Dimenzioni transnacional i transformimeve të kulturës – migrimi, diaspora, zhvendosja fizike nga vendlindja, rilokimi i vendbanimit – e bëjnë procesin e përkthimit kulturor një formë komplekse me kuptim të veçantë. Diskursi i natyralizuar, i unifikuar i kombit, i njerëzve, ose traditat autentike popullore, mitet e përmbledhura të veçantisë kulturore nuk kanë referenca të gatshme. Avantazhi i madh (por jo i mbaruar) i këtij  qëndrimi është ai se ngritet vetëdija në lidhje me krijimin e kulturës dhe shpikjen e traditës” (përkthyer nga gjuha angleze, Bhabha, 1994).

Pikërisht te migrimi dhe diaspora Bhabha tregon se kultura duhet të definohet në kontekstin e vetëkrijimit të saj. Për më tepër, autori konsideron se hibriditetin duhet shikuar si instrument për “çlirim” nga dominimi i imponuar i definicioneve, siç janë “raca”, “gjuha” dhe “kombi”.

Feddema (1992) sheh hibriditetin si mélange (përzierje, përkthyer nga gjuha frengjishte) të migrimit. Sipas tij një observim kolektiv është se migrantët e gjeneratës së dytë tregojnë tipare, veti të përziera kulturore (një distancim nga përzierja e kulturës dhe gjuhës të përvetësuar në shtëpi, kompatibël me kulturën e origjinës) kundrejt kulturës të përvetësuar jashtë shtëpisë (kompatibël me kulturën e vendit nikoqir). Për të përshkruar këtë fenomen ai përdor shembullin e një “myslimani” gjatë kohës së ditës dhe shkuarjes në diskotekë në orët e vonshme.

Në këtë artikull do të përqendrohemi te po ky fenomen i migrimit dhe i identiteteve hibride të formuara nga diaspora shqiptaro-kosovare.

Identiteti gjinor (te femrat dhe gratë brenda familjeve të migrantëve shqiptaro- kosovare):

Dahinden (2005) konstaton se këto femra dhe gra distancohen nga stereotipi i femrës tradicionale shqiptare. Ato kanë krijuar një identitet gjinor “të ri” bazuar në simbolet kulturore globale. Prandaj femrat që janë kthyer në vendlindje kanë ndarë në dysh (në  gjuhën angleze “dichotomized”) përfaqësimin e gjinisë midis “emancipimit evropian” dhe “traditave shqiptare”. Ato shohin vetvetën dhe rolin e tyre gjinor si të transformuar  prej një poli – të  “traditës” – te poli tjetër – të (kohës) moderne (“modernity”) me konotacion negativ tek tradita dhe konotacion pozitiv te modernja.[2]

Identitetet cocktail:

“Sfida e të ‘konfrontuarit me identitete multiple’ bëhet gjithnjë e më komplekse dhe e rëndësishme me faktin që bota bëhet gjithnjë e më e vogël për shkak të mundësisë të migrimit dhe mobilitetit, si në mënyrën virtuale ashtu edhe në atë reale, mund të jetë se njerëzit dhe grupet do ta shprehin vetën gjithnjë e më tepër nëpërmjet një perspektive multiple e jo nëpërmjet një perspektive të vetme të identitetit, kështu që do të jenë komponentët e “cocktailidentiteteve” (kombinimi i personave dhe konsekuencave) ato të cilat do të jenë më të rëndësishme. Pytja shtrohet se si do t’i mbrojmë dhe respektojmë identitetet kontradiktore dhe multiple? A do të ndodh kjo nëpërmjet identitetit të personave të ndryshëm, apo do t’i definojmë ne vet ato? Apo kjo do të ndodhë nën një set, grup të integruar të vlerave?” (Përkthyer nga gjuha angleze, Hardy, 2009).

Profesor Mike Hardy nga British Council përveç se pasuron terminologjinë në fushën e hibriditetit me të ashtuquajturit identitetet “cocktail”, ai konsideron konfrontimin me identitetin hibrid më kompleks. Për më tepër, ai mendon se njerëzit mund të fillojnë t’a shprehin vetën përmes personaliteteve të shumta dhe jo nëpërmjet vetëm atij personaliteti njejës. Problematike e sheh autori mbrojtjen dhe respektin e shumë identiteteve, sidomos atyre që kundërshtojnë njëra- tjetrën. Pytjet e shtruara nga ai i drejtohen posaçrisht hulumtuesve të cilët do të merren me fenomenin e identitetit hibrid në të ardhmën.

Globalizimi sipas Albrow (1990) i referohet të gjitha atyre proceseve nëpërmjet të cilave njerëzit nga e gjithë bota përfshihen në një shoqëri të vetme botërore, të ashtuquajturën “shoqërinë globale”.

Në sociologji konsiderohet si dukuri problematike shumimi social global. Në studimet e kulturave, fokusi përqendrohet te komunikimet globale dhe një stadardizim kulturor botëror, si p.sh. (Coca) Cola- kolonizimi dhe Mc donaldizimi, si dhe kultura postkoloniale (Pieterse, 1994).

Sipas Pieterse, modernizimi është një term kyç në reflektimet lidhur me globalizimin në sociologji. Sipas autorit globalizimi në një kontekst më të gjerë i referohet formimit të një fushe globale historike dhe përfshin krijimin e një kujtese (memorje) globale që rezulton nga eksperiencat globale qe i ndajmë ne të gjithë.

Globalizimi dhe hibriditeti:

“Kontakti i shpeshtuar me njerëz të kulturave të ndryshme ka mbërritur deri tek përzierja kulturore, njëra mbi tjetrën dhe tek format e reja të një përkatësie. Sociologët lidhin konceptin e hibriditetit me atë të globalizimit dhe migrimit në përmasa të mëdha dhe tregojnë dallimet gjithmonë e më të mëdha në traditat dhe format kulturore.” (Përkthyer nga gjuha angleze, Giddens, 2001).

Pieterse (1994) vjen në përfundim se proceset e globalizimit – si ato të së kaluarës, ashtu edhe ato tash – mund të përshkruhen në bazë ekuivalente me proceset e hibridizimit.

Më poshtë do të identifikohen disa nga problemet lidhur me konceptin e identiteteve hibride. Para konkluzionit do përdorën sqarimet e poshtëpërmendura për t’u aplikuar në shembullin e diasporës shqiptaro-kosovare dhe formimin e identiteteve hibride.

Problemet me hibriditetin: Profesoresha Floya Anthias (1999) kundërshton literaturën e përkohshme lidhur me hibriditetin e cila, sipas saj, mbivlerëson rolin ndërmjetësus në krijimin e identiteteve. Sipas saj hibriditeti nënkupton më shumë një akter të lirë (të pavarur) i cili në bazë vullnetare vendos midis identitetit dhe pozicioneve; duke përfaqësuar personin hibrid si vetëm një ndër shumë kombinimeve të mundshme të tjera. Anthias (2002) bashkë me Noble dhe Tabar (2002) ndajnë mendimin se hibridin e pavarur të lirë (në  gjuhën angleze “free-floating hybrid”) duhet kuptuar brenda një sistemi të përkufizimeve sociale dhe strukturore. Anthias (1999) po ashtu kritikon se formimi i identiteteve hibride nuk nënkupton automatikisht fundin e solidaritetit në baza etnike dhe reduktimin e etnocentrizmit dhe racizmit. Me fjalë të tjera, të qenit hibrid nuk qon domosdosmërisht deri te “hapja” e personave. Individët e kulturës dominante poashtu mund ta formojnë hibriditetin duke përvetësuar praktikat kulturore në baza selektive, si simbolet dhe idetë nga minoriteti. Pa marrë parasysh, ky proces nuk shpie deri te “hapja” kundrejt personave tjerë dhe braktisjes së disa prej praktikave, vlerave dhe simboleve të kulturës dominante.

Identitetet hibride të diasporës

Identiteti i gjeneratave të reja në diasporë nuk bazohet në të qenit shqiptaro-kosovar si para dhe gjatë luftës (1989-1999), kur familjet ikën nga Kosova me mendimin se do jenë larg vendlindjes vetëm deri sa të mbarojë lufta. Gjatë kësaj periudhe kohore identiteti shqiptaro-kosovar madje u forcua per shkak të ndjenjës mizore në bazë kolektive që ndante një popull i cili vuante nga lufta dhe që u desh ta braktisë vendin e vet sa më shpejt që ishte e mundur.

Sot e ashtuquajtura “krizë” e identitetit sipas Ardian Vehbiut (2004) përqendrohet në faktin që gjeneratat e reja duhet të integrohen tërësisht në strukturat e vendit dhe shoqërisë në të cilën ato jetojnë. Ky fenomen mund të quhet evoluim i gjeneratave të reja dhe të raportit të tyre me Kosovën e sotme si vend të origjinës. Por shtrohet pytja se a kemi të drejtë t’i  paragjykojmë dhe “fajësojmë” këta të rinjë me origjinë kosovare që po “distancohen” për çdo ditë e më tepër nga identiteti i tyre me origjinë nga vendlindja? Me fjalë tjera, a është më mirë të jesh “shqiptaro-Kosovar” në një vend në të cilin me një probabilitet të lartë do ngelësh prapa – në rastin se nuk asimilohesh dhe integrohesh – apo t’a dobësosh, madje t’a “humbësh” identitetin  paraprak dhe të jesh i “barabartë” me gjeneratat e njëjta te kombeve të ndryshme në vendin ku jeton?

Reduktimi i remitencave dhe vizitat gjithnjë e më të reduktuara të bashkatdhetarëve në vendlindje (pa marr parasysh turizmin në bregdetin shqiptar gjatë kohës së verës), si dhe zhgënjimi me mënyren e qeverisjes të shtetit kosovar që reflektohet në media lokale dhe ndërkombëtare, të cilat ndjekën nga diaspora edhe më tepër se vendasit, ndikojnë negativisht në përkrahjen e identitetit shqiptaro-kosovar dhe në një vendimmarrje potenciale për t’u kthyer dhe vazhduar jetën në vendlindje.  Mosofrimi i kushteve minimale për një jetë me dinjitet nga shteti kosovar (për cfarëdo arsye të mundshme­) fuqizon vendimin për të vazhduar jetën jashtë vendit amë. Ndonëse, në vendet ku ata jetojnë momentalisht, vetëm se gëzojnë një jetë me standard më të lartë (krahaso indekset e zhvillimit njerëzor ku Kosova ka më të ultin në evropë dhe rajon IZhNj = 0.713)[3] për të cilin standard Kosova momentalisht nuk posedon kapacitete të mjaftueshme ekonomiko-sociale si dhe politiko-menaxhuese në mënyrë që t’i ofroj diasporës së saj kthimin në vendlindje. Këtu bëhet fjalë, për shembull, sa i përket shërbimeve dinjitoze shëndetësore, përfshirë funksionimin e një mekanizmi të sigurimit shëndetësor, dhe një niveli kualitativ të arsimimit për këto dhe gjeneratat e ardhshme.

Lidhur me mënyrën e jetës në vendet më të avancuara nikoqire duhet marrë parasysh perspektivën në vijim: një pikëpamje është procesi i izolimit ose “ghetoizimit”. Si fizikisht, me vendbanim në zonat ku jetojnë vetëm shqiptarët dhe përfaqësuesit e kombeve tjera që kanë braktisur vendlindjet e tyre për shkaqe të ngjashme të një konflikti të armatosur/ luftës, të problemeve me thelb politik ose socio-ekonomik, ashtu edhe në aspektin ideologjik me një moto të një kryefamiljarit me origjinë nga Kosova rurale (ESI (2006), Denich (1974)[4] dhe Dahinden (2005)[5], i cili në radhë të parë nënkupton një lloj injorance dhe mosrespekt për vendin nikoqir. Dhe së dyti, perceptohet si një “pajtim” me një jetë në kushte minimale, që nënkupton izolim dhe regres – duke folur vetëm gjuhën amtare të degraduar dhe duke preferuar ambiente ku flitet vetëm ky lloj i gjuhës për një arsye kryesore se në ato rrethana ku ata jetojnë aplikimi i gjuhës nikoqire nuk është i domosdoshëm. Këtu duhet cekur se shumica e diasporës shqiptare janë të punësuar në vendet ku nevojiten aftësitë bazike ose elementare të gjuhës vendase, si p.sh. në sektorin e ndërtimtarisë, prodhimtarisë, amvisërisë etj. Me fjalë të tjera, njeriu mëson të jetojë në kushte bazike ose elementare që sado pak t’i përmirësohet gjendja socio-ekonomike, të jetë i kënaqur dhe të hezitoj me ndërmarrë masa jashtë një kornize që tejkalon “të domosdosshmën” e të jetuarit. Një kufizim i tillë i mundësive në një botë që çdo ditë e më tepër po përparon (shih progresin enorm në fushën e teknologjisë, posaçrisht në fushën e komunikimit) mund të ketë pasoja fatale për gjeneratat e ardhshme me origjinë shqiptare në Kosovë dhe jashtë kufijve të saj.

Një mendim përfaqësuar nga Ministria e Diasporës të Republikës së Kosovës është se të ashtuquajturat “klube kulturore” shqiptare duhet promovuar në shtetet ku ka diasporë shqiptaro-kosovare për arsye se familjet dhe rinia mbledhet, e flet gjuhen amtare dhe kalon kohë në një ambient të “një Kosove të vogël”. Me keqardhje duhet kundërshtuar këtë mendim për arsyet e lartpërmendura. Shkurtimisht, për të evituar ghetoizimin fizik dhe ideologjik si dhe me faktin e “nxënjes” së  hapit të kohës që ka një dinamikë të jashtëzakonshme dhe e cila paraqet sfidë të madhe për gjeneratat e sotme dhe të së ardhmes.

Por, çfarë zgjidhje alternative kemi si opsion?

Si zgjidhje alternative mund të konsiderohet integrimi githëpërfshirës në strukturat lokale në diasporë i cili zgjeron diapazonin intelektual dhe atë profesional të gjeneratave të reja jashtë vendit amë. Me perfeksionimin e shkrimit dhe leximit të gjuhës në vendin nikoqir – i cili nga gjuhëtarët konsiderohet si parakusht i mësimit të “pastër” të çdo gjuhe tjetër – me “grabitjen” e praktikave në fushën e arsimimit dhe atë profesionale, zanatit formohet një “aset” ose “fuqi” e jashtëzakonshme për Kosovën. Me sportistë, aktorë dhe këngëtarë të profiluar jashtë vendit Kosova vetëm se ka marrë (dhe merr) çdo ditë famë dhe popullaritet pozitiv në mbarë botën. Të gjithë këta individë kanë të përbashkët integrimin e tyre në shtetin nikoqir, në të njëjtën kohë duke mos mohuar asnjëherë origjinën dhe dashurinë ndaj vendlindjës së tyre. Ky fakt është i rëndësishëm posaçërisht në këtë fazë sensitive ku njohja e shtetit të ri, Kosovës, luan një rol të veçantë. Në këtë drejtim duhet punuar që poashtu personeli akademik, si studentët dhe profesorët, dhe ai profesional në fushat e politikës, ekonomisë, medicinës, arkitekturës, inxhinierisë e kështu me radhë, së pari të profilohen në vendet ku ata jetojnë. Si hap i dytë, duhet konsideruar kontributin e tyre për atdheun, ku Ministria e Diasporës mund të inkuadrohet dhe t’i analizojë mënyrat e përdorimit të kësaj fuqie për interesat e shtetit “brain gain” (përkthyer nga gjuha angleze, kthimi i “trurit”) dhe “brain circulation” (përkthyer nga gjuha angleze, “qarkullimi i trurit”).

Për shembull, me kontaktimin dhe ofrimin e një pune sfiduse për karrierën e këtyre personave (përfshirë këtu një rrogë të dinjitetshme) strukturat qeveritare mund të kenë sukses në kthimin e ekspertëve dhe profesionistëve që tashmë vetëm se kanë dëshmuar që kanë cilësi të jashtëzakonshme në vendet nikoqire. Edhe nëse pagat ju ofrohen jashtë normës kosovare dhe rajonale në bazë të kualifikimeve dhe suksesit të arritur në pozita vendimmarrëse si në arenën politike, por edhe në sektorin publik dhe privat, shteti dhe qytetarët kosovarë vetëm se do të përfitojnë. Është me rëndësi të sqarohet këtu fakti se nuk bëhet fjalë për kapacitetet dhe potencialet humane, por për sistemet e arsimit (të lartë) të cilat kanë avancuar ndjeshëm sa i përket kualitetit në krahasim me ato në Kosovë.[6]

Në fakt, shtetet të cilat kanë investuar në kthimin e profesionistëve kanë përfituar ekonomikisht nga ata. Si shembull, programi shtetëror ‘brain gain’ i Kinës ka rikthyer me sukses personelin akademik, duke iu ofruar dyfishin e pagës mujore në krahasim me fakultetet në vendet ku ata veprojnë dhe punojnë. Shteti i Kinës ka momentalisht një ndër rritjet më të mëdha ekonomike në botë.[7]

Kthimi i trurit profesional në kontekstin e Kosovës është i rëndësishëm edhe duke marrur parasysh faktin që gjatë periudhës 1996-1999 kualiteti i arsimit nuk ka arrit nivelin e duhur kryesisht për shkak të regjimit dhe represionit fashist të shtetit serb dhe liderit të tij Sllobodan Millosheviqit. Për shembull, një numër i konsiderueshëm i studentëve vijuan ligjeratat në shtëpi të ndryshme private. Fakti se studentët e dalur nga po ajo gjeneratë sot ndodhen në pozita vendimmarrëse në Kosovë duhet fuqizuar vullnetin që shteti i ri të përfitojë nga “truri i kthyer” sa më shpejt që të jetë e mundur. Nevoja e personelit të ri profesional reflektohet edhe në krizën e re politike dhe të mospajtimit aktual pothuajse në të gjitha fushat midis pozitës dhe opozitës në parlament, por edhe jashtë tij. Gjendja socioekonomike si edhe ajo politike varet në bazë substanciale nga personat me kualifikimet e duhura të përvetësuara në universitetet me renome botërore dhe angazhimit të tyre në baza proaktive për përmirësimin e situatës në vendlindje.

Megjithatë, ekzistojnë edhe mënyra të tjera të përfitimit nga kuadri profesional i diasporës. Programet e “qarkullimit” të trurit janë të njohura posaçrisht në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, si për shembull në Suedi.[8] Nuk do të thotë se kontributi ndaj vendlindjes mund të ipet vetëm me të qenit fizikisht në pozita të punës së rregullt. Teknologjia e sotme, sidomos ajo informative është në zhvillim e sipër dhe komunikimi me tërë botën është lehtësuar në atë mënyrë që këshillat dhe dokumentet e një konzulenti profesional mund të bartën (shkëmbehen) me shpejtësi të jashtëzakonshme te klienti. Në fushën e arkitekturës për shembull ka hapësirë që edhe në mospraninë fizike të ekspertëve të komunikohen idetë, përmirësimet dhe korrigjimet e një projekti ndërtimor para realizimit konkret të tij.

Ky adaptim që përshkruhet me integrimin e diasporës konform ligjeve, rregullave dhe profesionalizmit lokal mbështetet edhe nga fakti që evitohen automatikisht situatat dhe ambientet ku rinia me origjinë shqiptaro-kosovare shoqërohet me një grup njerëzish (‘peers’) të dekurajuar nga sistemi dhe mekanizmat ku ata jetojnë – për vet shkakun e mosintegrimit të tyre – Kjo situatë mund të rezultoj në papunësi, mosinteresim për arsimim, madje edhe në vepra ilegale ku përfshihet edhe krimi.

Në një takim publik në kuadër të të ashtuquajturit “salloni i së martës” të organizuar nga “demokracia për zhvillim” me temën “identiteti i gjeneratave të reja të diasporës dhe evoluimi i raportit të tyre me Kosovën[9] të mbajtur në Prishtinë, pjesemarrësit fillimisht u provokuan me probleme familjare potenciale me të cilat përballet diaspora shqiptaro-kosovare në ditën e sotme:

“Prindërit me një anë shprehin dëshirën që fëmijët e tyre të flasin shqip (gjuhën amë), të mbajnë traditat dhe zakonet në shtëpi, dhe në anën tjetër të kenë sukses në shkollë dhe në jetën e përditshme ku flitet gjuha e huaj në një vend dhe kulturë që janë plotësisht të reja edhe për prindërit e tyre.”[10] Gjatë debatit rezultuan pyetje si këto që vijojnë:

Mos po kërkohet shumë nga gjeneratat e reja në diasporë me origjinë shqiptaro-kosovare? Me një anë integrimi gjithëpërfshirës në strukturat lokale, në anën tjetër vazhdimësia e praktikave tradicionale, kulturore? A kanë prindërit të drejtë të kërkojnë “aq shumë” nga fëmijët e tyre? Ku duhet vënë prioritetet, tek adaptimi në vendet/ strukturat nikoqire apo praktikat tradicionale-kulturore? A ekziston një mënyrë ku mund të përfshihen që të dy aspektet “për së miri”?

Në literaturën e “identitetit” dhe “kulturës”, identiteti hibrid përshkruhet si një miks apo cocktail i dy apo më shumë kulturave. Për shembull, në debatin e zhvilluar një pjesëmarrës tha: “unë jam edhe suedez, edhe shqiptar. Unë mendoj se i përkas që të dy ‘botërave’”.

Është me rëndësi që tiparet e mira nga që të dy kulturat të “absorbohen” dhe të internalizohen deri te formimi final i personalitetit, posaçrisht te rinia shqiptaro-kosovare në diasporë. Roli i prindërve është kyç, duke u interesuar vazhdimisht për zhvillimin e fëmijëve të tyre, si në aspektin kognitivo-zhvillimor, ashtu edhe për ambientin dhe rrethin shoqëror në të cilin fëmijët e tyre kalojnë kohën.

Pytja socio-psikologjike dhe diskursi ‘nature’ (përkthyer nga gjuha angleze, natyra) vs. ‘nurture’ (përkthyer nga gjuha angleze, ambienti, rethi social, jetësor) që nënkupton gjenetikën dhe formim/ zhvillimin “natyral” të njeriut kundrejt ndikimit të  ambientit dhe ndikimeve eksternale (nga jashtë) ende konsiderohet si një pytje aktuale jo tërësisht e zbërthyer. Shkencëtarët deri sot nuk kanë arritur të vinë në një përfundim se cili ndikim është më i madh (më i rëndësishem) në zhvillimin e fëmijës, adoleshentit deri te formimi përfundimtar i personalitetit dhe maturitetit (pjekurisë). Por është vërtetuar se që të dy ndikime – përfshirë interagimin e tyre – luajnë rol esencial.

Më konkretisht, te shembulli ynë, prindërit duhet përkushtuar kujdes më të madh fëmijëve të tyre gjatë periudhës kognitivo-zhvillimore. Sidomos ndikimi i shoqërisë “peer pressure” (përkthyer nga gjuha angleze, presioni i bashkëmoshatarëve) në diasporë duhet ndjekur me vëmendje të posaçme.

Për shembull, vet fakti që në Holandë konsumi i Canabis Sativa/Hashashit është legal[11], i jep hapësirë rinisë, adoleshentëve të familjeve të diasporës të eksperimentojë me atë edhe pse është vërtetuar se konsumi i kësaj droge mund të shkaktoj dëme të konsiderushme në tru, që mund të rezultoj deri te një psikozë. Ekspozimi dhe konfrontimi me konsumin e drogës nga qytetarët dhe bashkëmoshatarët lokal paraqet rrezik potencial.

Te adoleshentët është shumë me rëndësi fakti që ata të kenë ndjenjën që i përkasin një rrethi te caktuar shoqëror, kështu që në një shoqëri ku konsumohet kjo drogë të gjithë pjesëmarrësit janë të rrezikuar që fillimisht të provojnë dhe më vonë të konsumojnë këtë drogë në bazë të rregulltë. Më vonë, si reagim zinxhiror mund të vij edhe deri tek konsumi i drogave më të rrezikshme, të cilat mund të krijojnë varësi tek adoleshentët e caktuar.

Pa marrë parasysh, prindërit shqiptaro-kosovarë duhet maksimalisht t’a perkushtojnë kohën femijëve të tyre, normalisht duke konsideruar realitetin se shumica prej tyre kanë punë të vështira (fizike) dhe një kohë të limituar në dispozicion. Megjithatë duhet biseduar dhe informuar vazhdimisht për situatën e tyre gjatë kohës kur ata gjenden në shkollë ose gjatë aktiviteteve të tjera në kohën e lirë me bashkëmoshatarët e tyre. Poashtu duhet treguar interesim se kush saktësisht janë shokët dhe shoqet e fëmijëve të tyre, duke i njohur ata në bazë personale. Përshkallëzimi deri te një devijim potencial në moshën adoleshente është shumë i ndjeshëm dhe mund të ndodhë shumë shpejtë. Posaçërisht fëmijët e familjeve shqiptare janë më të rrezikuara, duke marrë parasysh një lloj injorimi dhe diskriminimi institucional – mospërfillja perfekte e gjuhës nikoqire ndikon në një lloj jopërfshirjeje sociale në shkollë, në punë, te shërbimet publike – dhe individual te bashkëmoshatarët. Ky diskriminim mund të rezultojë në një zhgënjim apo dëshpërim, përfshirë edhe depresionin (këtu bëhet fjalë më shumë për diasporën në Evropën Perëndimore, posaçrisht atë gjermanofolëse, ku imazhi i shqiptaro-kosovarëve është degraduar dhe ka humbur në vlerë nga praktikat ilegale të disa individëve kriminel me origjinë shqiptare.)

Shumë fëmijë të “çrrënjosur” nga vendlindja e tyre e kanë problem t’i adaptohen jetës në shtëpi dhe jashtë saj në diasporë. Mbi të gjitha vështirësitë e tyre të lartpërmendura, tashmë është i njohur edhe i ashtuquajturi “konflikt i gjeneratave”. Ky konflikt paraqitet për shkak të ndryshimit të dinamikës së jetës së përditshme krahasuar me kohën kur prindërit kanë qenë vet adoleshentë – shumica prej tyre në vendlindje të tyre, në shtetin jugosllav – varësisht për cilën gjeneratë bëhet fjalë. Ky konflikt mund të manifestohet deri te përqarja dhe shpërbërja e një familjeje, ku fëmija ose prindërit distancohen tërësisht nga njëri-tjetri.

Në kulturën zvicrane për shembull në moshën 18-vjeçare fëmija është paraprakisht i informuar dhe obligohet nga ana e prindërve të lëshoj shtëpinë me një cak që të pavarësohet dhe ndër të tjerat të mos jetë “barrë” e mëtutjeshme (financiare) e familjes në fjalë.[12] Me aplikimin e kësaj praktike lehtë vjen deri te praktika dhe zbatimi, përfshirë familjet shqiptaro-kosovare, ku një fenomen i tillë kurrë nuk do merrej parasysh, ndonëse ai thjesht kurrë nuk ka qenë pjesë e kulturës sonë.

Nëse diaspora shqiptaro-kosovare është në gjendje me një anë të absorboj të mirat e shtetit nikoqir, si për shembull arsimimin kualitativ, profesionalizmin, zanatin në fusha të ndryshme, shprehinë e punës, saktësinë kohore, etj., dhe në anën tjetër të kultivojë dhe aplikojë “të mirat” që ndërlidhen me kulturën, si p.sh. përkushtimin për familje dhe lidhjet e forta të saj, ngrohtësinë shtëpiake që i ofrohet çdo mysafiri, aftësitë për t’iu adaptuar çdo rrethi shoqëror të mundshëm, çdo gjuhe, shkolle, pune si dhe çdo lokacionit në botë, atëherë këta individë me një probabilitet të lartë do të arrijnë sukses si në aspektin individual, ashtu edhe në atë kombëtar, ku përfiton edhe vendi amë.

Te shembulli ynë konkret sa i përket diasporës shqiptaro-kosovare dhe identiteteve të krijuara, zgjedhja për formimin e këtyre identiteteve ndodh në bazë vullnetare dhe individuale. Identitetet hibride janë vetëm një kombinim i mundshëm, i cili me një probabilitet të caktuar mund të formohen, por jo në bazë automatike. Ndonse p.sh. shqiptaro-kosovarët mund të përqëndrohen vetëm te një identitet, atë të krijuar në shtetin nikoqir apo atë të formuar nga origjina shqiptare dhe nuk janë të interesuar t’i ndryshojnë pozicionet e tyre sa i përket zgjedhjes së identitetit të tyre të preferuar, ky proces ndodh normalisht në përkufizimet e rrethit social ku ata jetojnë.

Si p.sh. traditat për kërshëndella që manifestohen në festa te popullata vendëse shumica e të cilës përbëhet nga katolikët apo feve tjera në Evropën Perëndimore, të cilat respektohen por nuk praktikohen tek shqiptaro-kosovarët, shumica e të cilëve i përkasin fesë myslimane, si dhe tek përkufizimet strukturore, p.sh. ligjet, rregulloret, etj. që ka shteti nikoqir.

Kritikat e lartpermendura rreth identiteteve hibride dhe solidaritetit në baza etnike, si dhe reduktimit të etnocentrizmit, duke përjashtuar ideologjinë e racizmit, qëndrojnë me përmasa të mëdha kur flasim në kontekstin shqiptaro-kosovar. Diaspora pretendon të tregoj solidaritet më të madh krahasuar me bashkëkombasit në vendlindje, duke treguar këtë p.sh. me dërgimin e rregullt të remitencave te familjet e tyre, apo me vizita të shpeshta  (UNDP, 2014).

Edhe aspekti humanitar, si p.sh. investimet për ndërtimin e shtëpive në Kosovë (posaçrisht për familjet më të varfura) bëhen më shumë nga bashkëkombasit nga diaspora. Diaspora për më tepër pretendon ende të praktikoj traditat kombëtare dhe fetare, si dhe të adhuroj më tepër simbolet si flamurin kombëtar edhe pse gjenden fizikisht jashtë vendlindjes krahasuar me bashkëkombësit në atdhe. Madje mendohet – ndonse nuk është bërë një studim i tillë ende – se diaspora përcjell në bazë edhe më intenzive mediat lidhur me gjendjën politike dhe socioekonomike në Kosovë, se sa familjet shqiptaro-kosovare që jetojnë në vendlindje. Interesimi i pandalshëm mund të rrjedhë edhe nga fakti se një masë e madhe e diasporës ende mendon të kthehet në vendlindje për të vazhduar dhe mbaruar jetën e tyre.

Konkluzioni

Literatura që shpjegon identitetet hibride është e mjaftueshme, por jo edhe në kontekstin shqiptaro-kosovar. Domosdosshmëria e studimit të identiteteve hibride në këtë kontekst mund të arsyetohet me faktin e avancimit të literaturës lidhur me identitetet hibride dhe globalizimin në mbarë botën, por edhe me faktin që diaspora shqiptaro-kosovare përbën një masë prej gati gjysmës së popullatës që jeton aktualisht në territorin e Kosovës.

Edhe pse procesi i mospërfshirjes sociale dhe e izolimit në disa vende nikoqire mbesin sfida për t’u tejkaluar nga familjet shqiptaro-kosovare në diasporë, identitetet e formuara hibride që depërtojnë në sistemet e avancuara arsimore dhe profesionale duhet konsideruar si asete të mëdha për vendin amë.

Forma e shfytëzimit të tyre mund të jetë njëherësh kthim i trurit si dhe qarkullimi i tij në botën fizike dhe atë virtuale. Ministria e Diasporës në Kosovë mund ta konsiderojë ushtrimin e një roli ndërmjetësues në këto procese.

Edhe pse ende nuk dihet saktësisht se cili faktor –  natyra, gjenetika apo rrethi jetësor social, luajnë rol më të rëndësishëm gjatë procesit të zhvillimit të trurit dhe krijimit të identiteteve hibride, fusha humano-sociale, posaçrisht ajo e psikologjisë dhe e sociologjisë ka vërtetuar se që të dy ndikimet ekzistojnë dhe bashkëveprojnë.

Te rrethi jetësor social, prindërit duhet perkushtuar kujdes të veçantë fëmijëve të tyre sidomos te koha që kalon adoleshenti jashtë shtëpisë në një rreth shoqëror ku ai/ajo është i/e ekspozuar një lloj presioni social i nisur nga bashkëmoshatarët e tyre.

Sa i përket fenomenit të një konflikti potencial të gjeneratave brenda një familjeje, duhet konsideruar se familjet shqiptaro-kosovare në diasporë janë më të rrezikuara krahasuar me ato në Kosovë – ndonse avancimi i teknologjisë dhe ndikimi i globalizimit është më i thelluar në shtetet më të zhvilluara. Prindërit nuk duhet referuar kohës kur ata kanë qenë të ri (adoleshentë), por duhet formuar një relacion të ri fitimprurës (WIN-WIN) me fëmiun, ku që të dy palet, si prindi ashtu edhe fëmija, në bazë reciproke ofrojnë hapësirë dhe gatishmëri që të mësojnë nga njëri-tjetri, duke shkëmbyer dijën dhe eksperiencat e përfituara si dhe duke iu përshtatur zbulimeve aktuale, inovative posaçrisht në fushën e teknologjisë informative, si p.sh. sa i përket telefonave të mençur.

Te problemet e evidentuara lidhur me identitetet hibride te diaspora shqiptaro-kosovare mund të theksohet fakti se edhe pse ekziston mundësia e zgjedhjes së “një” identiteti të preferuar, diaspora jonë njihet për asimilimin/ integrimin e shpejtë dhe të suksesshëm në strukturat dhe mekanizmat shtetrorë të vendeve të tjera, kështu që edhe pervetësimi i vetëm një identiteti – atij të shtetit nikoqir, por jo vetëm konzervimi i atij shqiptaro-kosovar  – mund të konsiderohet si i suksesshëm nëse individi në fjalë arrin të depërtoj deri te shtresat më elitare intelektuale, profesionale në vendin ku ai ose ajo jeton. Edhe pse në këtë drejtim me një anë kontributi për shtetin amë mund të rrezikohet, por në anën tjetër imazhi i diasporës shqiptaro-kosovare në shtetin nikoqir mund të përmirësohet në baza substanciale.

Solidariteti me bashkëkombësit në Kosovë në baza etnike si dhe i simboleve perkatëse mund të paraqet pengesë potenciale në formimin pozitiv të identiteteve hibride, por jo edhe domosdosshmërisht. Vetëm përmasat radikale të një përkushtimi etnocentrik (të njëanshem) mund të paraqesin rrezik për t’u konsideruar gjatë formimit të identiteteve në fjalë.

Sa i përket aspektit humanitar, kjo do të varet nga intenziteti i lidhshmërisë dhe ndjeshmërisë së diasporës në raport me vendin amë. Mund të supozohet se gjeneratat e reja të diasporës mund ta dobësojnë këtë lidhshmëri, p.sh. duke u martuar me partnerë të përkatësive etnike, nacionaliteteve tjera, e cila mund të rezultoj deri te shkëputja totale nga vendi/ lokacioni i origjinës dhe njerëzve të cilët jetojnë atje.

Por, derisa diaspora ende është aktive në blerje të pasurisë së patundshme, në ndërtimin e shtëpive, në hapjen e bizneseve të reja dhe investimeve të tjera në vendlindje dhe informohet rregullisht për gjendjen socioekonomike si dhe atë politike, shkëputja emocionale dhe ajo fizike e familjeve në diasporë kundrejt vendit amë ka një probabilitet shumë të ulët për t’u realizuar.

Fusnotat

[1] Sipas Dahinden (2005: 192) edhe ideja e transnacionalismit ka lind nga fakti se migrantët mbajnë lidhjet me vendet e origjinës së tyre, duke shëndrruar shoqërinë e origjinës dhe asaj nikoqire arenën e jetës së përditshme sociale. Duke lëvizur nëpërmjet kufijve internacional dhe nëpërmjet kulturave si dhe sistemeve sociale të ndryshme dhe duke shfrytëzuar marrëdhënjet transnacionale si një formë të kapitalit social për strategjitë e tyre të jetesës.

[2] Dahinden 2005: 204.

[3] Raporti i zhvillimit njerëzor, UNDP (2012)

[4] Denich (1974) përshkruan shoqërinë shqiptare si strikt patriarkale, patrilokale dhe patrilineare. (Shih Dahinden 2005: 204).

[5] “Migrimi dhe remitencat (…) kanë ndihmuar për të ruajtur një ndër institucionet më të vjetra dhe më konzervative të evropës: familjën tradicionale, patriarkale” (ESI, 2006: II).

[6] Një raport për t’u veçuar sa i përket cilësisë së arsimit të lartë është publikuar nga instituti GAP me titullin “Pasqyrë e Arsimit të Lartë Privat në Kosovë”, ku janë përdorur indikatorë si: Hapësira e mjaftueshme në bazë të standardeve ndërkombëtare; Bibliotekë me inventar dhe numër të pasur të librave të fushave të ndryshme; Kabinete të pajisura me kompjuterë; Ambient të përshtatshëm të punës; Laboratorë dhe pajisje të nevojshme për punë; Sigurimi i cilësisë së studimeve, etj. (GAP, 2007:6).

[7] Shiko edhe Hendey, E. dhe Lemberg, T. (2012) “China’s Brain Gain”.

[8] EMN (2010).

[9] Shih editorialin e plotë te http://d4d-ks.org/editorialet/identiteti-i-gjeneratave-te-reja-te-diaspores-dhe-evoluimi-i-raportit-te-tyre-me-kosoven-3/ (Shtator 2016).

[10] Ky mendim mbështetet edhe nga ESI (2006).

[11] Shih politikat tolerante sa i përket drogave të lehta në Holand https://www.government.nl/topics/drugs/contents/toleration-policy-regarding-soft-drugs-and-coffee-shops (Korrik 2016).

[12] P.sh. https://aspectfoundation.org/host/switzerland.html (Dhjetor 2016).

 

Referencat

  • Aspect Foundation: Switzerland. Në: https://aspectfoundation.org/host/switzerland.html (Dhjetor 2016)
  • CNN (1999) “Desperate refugees flee Kosovo, accuse Serbs of atrocities”. Shikoje linkun në vijim: http://edition.cnn.com/WORLD/europe/9903/29/refugees.04/ (Djetor 2016)
  • Dahinden, Janine (2005) “Contesting transnationalism? Lessons from the study of Albanian migration networks from former Yugoslavia”. In Global Networks 5, 2 (2005) p. 191-208. ISSN 1470-2266.
  • European Stability Initiative ESI (2006) “Cutting the lifeline: Migration, Families and the Future of Kosovo”. Në ESI, f. 1-39, te:

http://www.esiweb.org/pdf/esi_document_id_80.pdf (Korrik 2016)

  • European Migration Network EMI (2010) “Temporary and circular migration: empirical evidence, current policy practice and future options in EU mber states”. Në

http://ec.europa.eu/dgs/home-affairs/what-we-do/networks/european_migration_network/reports/docs/emn-studies/circular-migration/26a._sweden_national_report_circular_migration_final_version_9dec2010_en.pdf (Korrik 2016).

  • Féraud, Marie (1978) “Anne ici-Sélima là-bas”, Duculot: Gembloux, Paris.
  • GAP Instituti për studime të avancuara (2007) “Pasqyrë e Arsimit të Lartë Privat në Kosovë”.Në http://www.institutigap.org/documents/43587_Pasqyre_e_Arsimit_C3AB_LartCAB_nC3AB_KosovC3AB.pdf (Korrik 2016).
  • Germov, John dhe Poole, Marylin (2011) “Sociologjia publike: një hyrje te shoqëria australiane”. Publikuar nga Allen & Unwin.
  • Giddens, Anthony (2011) “Modernja dhe vet-identiteti: vetvetja dhe shoqëria e përkohshme moderne”. Publikuar nga Polity Press.
  • Hardy, Tom (2009) “Future of Identity – Presentation”. Në British Council te:

https://www.slideshare.net/FutureAgenda/future-agenda-future-of-identity (Janar 2016)

  • Haslam, Alexander S. (2001) “Psychology in Organizations – The Social Identity Approach”, Sage Publications Ltd, London. Chapter 2: The Social Identity Approach, p. 26-57.
  • Hendey, E. dhe Lemberg, T. (2012) “China’s Brain Gain”.

http://harvardpolitics.com/covers/chinas-brain-gain/  (Korrik 2016).

  • Kohli, Martin (2000) “The Battlegrounds of European Identity”. Në University of Berlin tek:

https://www.academia.edu/3715591/The_battlegrounds_of_European_identity (Janar 2016)

https://newnarratives.wordpress.com/issue-1-hybrid-identity/some-thoughts-on-hybrid-identity/ (Janar 2016)

  • Smith, Keri and Leavy, Patricia (2008) “Hybrid Identities: Theoretical and Empirical Examinations”, Brill Leiden Boston. Chapter 6: Bridging the Theoretical Gap: The Diasporized Hybrid in Sociological Theory, f. 101-116.
  • “Social Identity Theory”. Në University of Twente tek:

http://www.utwente.nl/cw/theorieenoverzicht  (15.12.2015)

  • Zogaj, Veton (2014) “Krijimi i identitetit individual dhe identitetit kolektiv”. Tek:

http://www.telegrafi.com/lajme/krijimi-identitetit-individual-dhe-identitetit-kolektiv-26-6986.html (Janar 2016).

http://dro.deakin.edu.au/view/DU:30018002 (Janar 2016)

  • Yazdiha, Haj (2010) Në “Formations: Vol.I, No.I. Conceptualizing Hybridity: Deconstructing Boundaries through the Hybrid”, f. 31-38.
PDF-i për shkarkim
Denis Nushi

Denis Nushi

Një biografi e shkurtë e autorit: Denis Nushi posedon titullin e doktorit në shkenca humane dhe sociale nga Atlantic International University në Honolulu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programin e Licentiatus philosophicae (lic.phil.), i cili është ekuivalent me atë të Masterit (MA) në shkenca sociale me fokus në politikë dhe konflikt (Ethnologji), psikologji sociale dhe kriminologji, ai e përfundoi me sukses në Universitetin e Cirihut në Zvicër. Shumica e punimeve të tij janë përqendruar në kontekstin e vendlindjes së tij. Praktikën profesionale gjashtëmujore ai e mbaroi te Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) në Vjenë, Austri. Që nga shkurti 2010 deri në mars 2017 ai ishte pjesë e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Prishtinë në rolin e specialistit të raportimit dhe ligjërimit mbi zhvillimin njerëzor brenda departamentit për hulumtime dhe politikbërje. Në vitin 2011 ai është certifikuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest (HUN) për përfundimin e suksesshëm të trajnimit lidhur me “Zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor: Nga kornizat ndërkombëtare deri te politikat rajonale”, ndërsa në maj të vitit 2015 ai u certifikua nga Kolegji i Bashkimit Evropian për Siguri lidhur me praktikat në nivelin global për “Paqendërtim dhe -ruajtje”. Në rolin e specialistit për zhvillim njerëzor ai ushtroi edhe detyrën e menaxherit organizativ dhe operacional për raportet e zhvillimit njerëzor në Kosovë dhe është një nga bashkautorët e raportit të zhvillimit njerëzor 2014 të titulluar “Migrimi si një forcë për zhvillim”. Së fundmi, ai ka qenë pjesë e ekipit ndërkombëtar i cili ka përpiluar dhe shkruar raportin ndër-rajonal të zhvillimit njerëzor 2016, të titulluar: “Fuqizimi i njerëzve në parandalimin e fatkeqësive”. Pavarësisht aktiviteteve të tij mësimdhënëse dhe ligjëratave të mbajtura mbi temën e  migrimit dhe zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës, ai shkruan rregullisht artikuj dhe editoriale. Me poshtë janë disa nga punimet e tij, si dhe disa kontribute cilësore:

  • “Kontributi i mobilitetit të fuqisë punëtore në zhvillimin njerëzor dhe atë ekonomik” (Demokraci për Zhvillim, 2016)
  • “Raporti i zhvillimit njerëzor i Kosovës: Migrimi si një forcë për zhvillim” (UNDP, 2014)
  • “Identiteti i gjeneratave të reja të diasporës dhe evoluimi i raportit të tyre me Kosovën” (Demokraci për Zhvillim, 2012)
  • “Shqyrtimi i hipotezës, prognozës së Samuel Hantington-it: Përplasja e qytetërimeve (1993) në shembullin e konfliktit ndëretnik në Kosovë”, përkthyer nga gjuha gjermane (Univerziteti i Cyrihut, 2006)
  • “Krijimi i identitetit përmes historisë te shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, përkthyer nga gjuha gjermane (Univerziteti i Cyrihut, 2005)
  • “Perceptimi i studentëve të Cyrihut për pjesëmarrjen e të huajve (jovendasve) në tregun zvicran të trafikimit ilegal të substancave narkotike”, përkthyer nga gjuha gjermane (Univerziteti i Cyrihut, 2004/ 2005)
  • “Rrezikshmëria për të konsumuar drogë ilegale në shembullin e adoleshentëve të familjeve shqiptare të cilat kanë migruar dhe jetojnë në Zvicër”, përkthyer nga gjuha gjermane (Univerziteti i Cyrihut, 2003)
  • “Sundimi i ligjit dhe jurisprudenca në Kosovën e sotme: një studim i sistemit gjyqësor prej perspektivës së akterëve internacionalë dhe vendës mbështetur në shembujt konkretë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, Kosovë”, përkthyer nga gjuha gjermane (Univerziteti i Cyrihut, 2003)

Kontributi cilësor:

  • “Vizioni 2050. Një hartë e re politike dhe ekonomike e botës” (Instituti global i postkonflikteve, 2013)
  • “Fjalor shpjegues i psikanalizës” (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2012)
  • “Perceptimet mbi drejtësinë tranzicionale në Kosovë” (UNDP, 2012).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*