Ky ansambël, me përvojë gafro 15 vjeçare, që numëron rreth 50 anëtarë, në një koncert shqiptaro-zviceran në Goldach u prit me shumë entuziazëm dhe u duartrokit gjatë nga artdashësit vendas.- Në këtë mbrëmje “Drita” defiloi bashkë me grupin e këtushëm folklorik, i përbërë nga grup mosha të ndryshme
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Shoqëritë dhe ansamblet tona artistike në Zvicër, pos misionit primar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të trashëgimisë, po kryejnë edhe një mision tjetër tejet të rëndësishëm: krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit me popullatën vendase, që ajo të njihet me begatitë tona kulturore kombëtare.
Këtë pohim edhe njëherë e dëshmoi një program i përbashkët muzikor shqiptaro zviceran në qytetin e bukur të Goldahut, jo larg St. Galenit, më 5 Nëntor 2016, ku në skenë defiluan së bashku artistët e Ansamblit “Drita” të Kreuzlinhgenit me grupin artistik vendas folklorik.
Programi u hap me daljen e përbashkët të dy ansambleve më pastaj secili grup veç e veç e përmbushi programin artistik prej më se një orësh.
Ishte vërtetë një mbrëmje sa mbresëlënëse aq edhe festive, që pikësynim kishte afrimin dhe njohjen e dy kulturave, gjë që edhe ia arriti në saje të një programi të përzgjedhur nga dy grupet artistike, secila në gjuhën e vet, por që komunikonin shumë mirë përmes lëvizjeve në skenë. Derisa grupi zviceran i përberë prej moshash të ndryshme, këndonte kryesisht këngë të vjetra tradicionale, grupi shqiptar “Drita” , përbëhej kryesisht nga radhët e valltarëve të ri, përplot imagjinatë e kreativitet, gjë që kjo tërhoqi interesimin dhe kureshtjen e vendaseve.
Sa për njoftimin e opinionit do theksuar se : Ansambli artistik „Drita“ nga qyteti Kreuzlingenit i kantonit të Turgaut, u themelua më 23 mars të vitit 2002). Në nismën e tij “Drita” funksionoi si grup që tubonte kryesisht të ri me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, por me një vullnet të rrallë. Nga koha që përcjelli aktivitetin e këtij ansambli, shihet se ai ka përjetuar një rritje si në cilësi ashtu edhe në sasi. Aktualisht ansambli “Drita” sipas kryetarit të saj Haradin Gashi, një veprimtar i palodhshëm edhe në organizimet tjera shqiptare, tash ansambli numëron gjithsejtë 46 anëtarë aktiv, 18 në grupin e valltarëve të ri dhe 28 në grupin e të vegjëlve.
Karakteristike është se tash edhe vet koreografët janë ish anëtarë të Ansamblit “Drita”, të cilët në saje të ndihmës që dhanë për disa vite disa nga koreografët me përvojë në Zvicër, mësuan shumë, sa sot të bëjnë një punë shumë kreative e me shije artistike.
Mësojmë se, derisa me grupin e fëmijëve punojnë Patrik Ademi e Valentina Gashi, me më të rriturit punon njëra nga valltaret më të talentuara, Saranda Gashi, tash edhe në rolin e një koreografeje të zellshme e të suksesshme. Pos, Patrikut për kreativitet shquhet edhe motra e tij Donika Ademi. Ndërsa që nga radhët e familjes Gashi, aktualisht janë katër vajzat dhe djali i vetëm i kësaj familje.
Pjesë e këtij ansambli është edhe grupi i instrumentistëve dhe i këngëve folklorike , pjesë e të cilit janë prej vitesh Pal Berisha, Xhevat Misini, Bedri e Xhemile Kryeziu, një qift që me tërë familjen kanë dhënë kontribut të madh në këtë ansambël, por që kësaj radhe para publikut zviceran u paraqitën me program vetëm fëmijët dhe të rinjtë. Dhe vërtetë nuk na zhgënjyen jo vetëm në skenë por edhe në kontaktet e mëtejshme në sallë në bisedë me vendasit, duke u folur për aspekte të ndryshme të traditës dhe kulturës sonë kombëtare. Vërtetë një prezantim, që meriton lami e respekt.
( Me këtë rast po jap disa pamje nga ky program i përbashkët muzikor, në realizim të ansamblit “Drita” dhe grupit artistik në Goldau) )