Agron, Ti po shkon, por vallja jonë që ngrite TI në piedestal do jetojë për jetë!

0
5857

Asnjë lajm prej vitesh në mesin e komunitetin të madh shqiptar në Zvicër, nuk ka jehu me aq dhembje e pikëllim, sa ky i kësaj mbrëmje, se nga ne u nda, vetëm fizikisht artisti i madh në mërgatë, Agron Bajrami, që për rreth tri dekada e ngriti në piedestal kulturën shqiptare, madje edhe në metropolet më të njohura të Evropës 

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Ndaj edhe lajmi prekës kaploi jo vetëm familjen, por edhe qindra artistë, ansamble muzikore dhe mbarë komunitetin kulturor, por edhe mërgatën shqiptare në Zvicër dhe jashtë saj. Kudo që Agroni la gjurmë me lojën e tij brilante bashkë me qindra artistë moshash të ndryshme që kaluan përmes dorës së tij, duke qenë jo vetëm një valltarë e koreograf, por edhe një mësues e edukator e para së gjithash një atdhetar i pashoq, që përmes kulturës sonë sensibilizoi edhe komunitetet mike që të mësojnë më shumë për kulturën tonë dha ta duan atë dhe popullin që e krijoi.

Ky artist dhe ky njeri me një vullnet e punë prej Sizifi, bëri që Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” e Zvicrës , të bëhet për disa dekada prezantuesja më e denjë e kulturës shqiptare, jo vetëm në shtetin helvetik , por edhe në qendra të ndryshme të Evropës.  Po ky Agron që do të mbetet përherë në kujtesën e këtij brezi mërgimtarësh, qoftë si koreograf, instrumentist e valltar, do të mbetet si një njeri- lapidar e pishtar që një jetë të tërë i fali kulturës shqiptare.

Pikërisht ky Agroni, me të shoqen Lirinë, një bashkëshorte, një nunë e një artiste e mrekullueshme, që asnjëherë nuk ngeli prapa Agronit, por që eci  krah e përkrah Agronin, duke i marr edhe fëmijët lulak, vetëm që të mos ndalet kënga dhe vallja shqiptare edhe atëherë kur përballeshim me ekzistencë. Po ky çift, përfshi edhe fëmijët e tyre të  mrekullueshëm bëri që përmes një angazhimi e përkushtim të pashoq, që një trup amatore artistike, për afro tri dekada të rritet e shndërrohet në një shkollë të vërtetë vallëzimi, përmes së cilës defiluan me qindra e qindra të ri për të ia ofruar kulturën tonë mijëra e mijëra artdashësve, jo vetëm në shtetin helvetik e Gadishullin Ballkanik, por edhe metropoleve evropiane përfshi këtu edhe krye metropolin kulturës-Parisin.
Dhe për habi as nga diaspora e as nga Kosova, institucionet përkatëse nuk e panë të udhës që Agron Bajramit ti jepet një vlerësim e çmim i merituar. Çdokush më shumë mori e përfitoi prej tij e thuaja nuk i dha asgjë!

Dhe krejt në fund i dashuri Agron, as pardje kur të pash në spital, duke u përballë me sëmundjen fatale, nuk besoja se aq shpejtë do të ndaheshe nga mesi ynë. Por nuk mund të mos ta them edhe këtë se ti ke qenë ai që me artistët tu më keni dhënë aq shpirt e zemër kudo që kemi shkuar bashkë. Edhe në Gjirokastër, Luksemburg e Paris e mos të flasim në Zvicër, ku me lojën dhe artin tënd ke ngritë në këmbë mija spektatorë dhe ke fituar pavdekësinë me punën tënde të madhe prej një artisti e atdhetari të pashoq, duke iu bashkuar jo vetëm valles tradicionale por edhe duke qenë edhe një luftëtar i vërtetë në frontin e luftës për liri.
Pra i dashur Agron ti ishe njeri i shumë fronteve dhe në të gjitha dole triumfues dhe i tillë do të ngelësh në kujtesën e gjithë atyre që të njohën, por që edhe përfituan nga ndihma jote që u ofrohej gjithë atyre pa kursim, sidomos atyre sollën një copë kulturë nga trungu stërgjyshor këtu  edhe këtu në dhe të huaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here